Shqipëria është përballur kundër Anglisë duke humbur në shifrat 0-2. Por përtej kësaj humbje, loja e Shqipërisë ka qenë fantastike, e një niveli shumë të lartë për 70 minuta. Pavarësisht kualifikimit të mëparshëm, impenjimi ishte maksimal dhe Koha Shtesë ka përzgjedhur pesë më të mirët e këtij takimi.
Ardian Ismajli (6.5): “Ismajli ka nxjerrë një ndeshje të nivelit të lartë. Ka një konkurrencë të madhe me Ajetin për të qenë krahë Gjimshitit, por me llogjikë sportive, Ismajli qëndron më lart. I pagabueshëm dhe ka me vete edhe “artin e errët”. Detaji më i bukur ishte në minutat e para, një top depërton për Rice brenda zone që do gjendej i vetëm para Strakoshës për të shtyrë topin në rrjetë. Duke parë se Rice i iku, Ismajli gjen zgjidhjen duke u rrëzuar dhe duke i dhënë një goditje të lehtë me dorë lojtarit të Anglisë për ta zhbalancuar dhe për t’i hequr sekondin që e largoi nga topi. Ky është Ismajli, në duelet një kundër një i pagabueshëm dhe i vëmendshëm në çdo moment”.
Kristjan Asllani (7): “Një nga ato ndeshje që tregon qartësisht sesa është rritur Asllani. Për Torinon dhe Interin mund të jetë lojtar stoli, por për Shqipërinë është luks të ketë një mesfushor të tillë në Kombëtare. Pasimet e gjata vazhdon t’i ketë specialitetin e tij, krijoi një volum të madh loje dhe bëri diferencën mesa mundi përballë një mesfushe të Anglisë që kishte emra të kalibrit botëror. Ishte nga ato ndeshje që Asllani i ka nxjerrë për kornizë dhe nga ato ndeshje që tregojnë shumë për të te Shqipëria”.
Nedim Bajrami (7): “Shumë pyesnin se përse Silvinjo e grumbulloi kur është i përjashtuar te Rangersi, përgjigjen e dha qartë. Kundër Andorrës ishte ky njeriui që e gatoi golin e kualifikimit dhe dje ka qenë, mbreslënës. Silvinjo e aktivizoi në krahun e djathtë të sulmit dhe aty bëri çudinë, përtej rolit jo të preferuar. Cilësisht, është mesfushori organizator më i mirë që kemi në Kombëtare. Pasimi i dhënë për Arbër Hoxhës ishte një tjetër dëshmi e gjallë e klasit të Bajramit. Kur Bajrami dëshiron të luajë, bën çmendurira, por ndonjëherë motivimi i ulët dhe gjunjët që nuk i mbajnë nga mungesa e minutave në klub bën që të kërkojmë largimin e tij nga fusha. Me Anglinë, e përsërisim, ishte nivel tjetër”.
Arbër Hoxha (8): “Lojtari i ndeshjes! Ja përse në futboll vendos shumë herë fati dhe në tjera menaxheri. Ka lojtarë të huaj që luajnë në ekipe shumë të mira pa cilësi të jashtëzakonshme, ndërsa një Arbër Hoxha që mund të tallet lehtësisht me gjithë mbrojtjen e Anglisë, nuk shkon më shumë se Dinamo e Zagrebit. Mëkat! U tall hapur me ta, i driblonte si të dëshironte, në të majtë dhe në djathtë, me lëvizje me top dhe pa top, mbizotëronte në krahun e tij të majtë. Në ndryshim nga e kaluara, ka fituar edhe një përgatitje fizike shumë të mira. Nëse më parë Arbër Hoxha ndizte vetëm 20 minuta turbon dhe pastaj fikej, dje ka luajtur të paktën 70 minuta të një niveli fenomenal. 70 minuta kundër Anglisë në një ritëm të tillë janë si 120 minuta ndaj çdo kundërshtari tjetër normal, në një kundër një edhe njëherë tjetër Hoxha e tregoi se është i llahtarshëm”
Myrto Uzuni (6.5): “Ndoshta nuk është tipi i lojtarit që të futet në driblime, të bëjë magji dhe të shënojë, por shumë i domosdoshëm te kjo Kombëtare. Nëse flasim për përgatitje fizike, është më i mirë se të gjithë lojtarët e tjerë të Shqipërisë. E sheh kudo, vrapon kudo, ushtron presing kudo dhe nuk e njeh fjalën lodhje. Vrapimi i tij si një “kafshë e çmendur” nxit edhe të tjerët që t’i japin këmbëve dhe të mos qëndrojnë në vend”.