Nga Klaudio Ndreca
Koha Shtesë do të vazhdojë me traditën për të bërë vlerësimet dhe për të dhënë notat sa i përket ndeshjeve të Shqipërisë. Këtë herë do të sjellim notat e lojtarëve tanë për ndeshjen kundër Gjeorgjisë, të fituar 0-1.
Strakosha (6): “Kemi kërkuar prej kohësh që të marrim një pikë nga Strakosha, me ndonjë pritje të pamundur, siç bëri portieri i Cekisë në rastin e Asllanit. Ndoshta një gjysmë pike mbërriti dje edhe nga Strakosha. Në dy-tre momente rezultoi shpëtimtar për ne, por më shumë sesa një mrekulli, ishte thjeshtë një gatishmëri pas ekzekutimit të dobët të kundërshtarit. Një moment kaotik në pjesën e parë me shkelmimin e topave, duhet të punojë shumë me lojën në këmbë. Falë Zotit, Ajeti e shpëton nga kryqëzimi publik në Shqipëri në një moment”.
Balliu (8.5): “Si një bishë e lëshuar nga kafazi. Dikur Sadiku do ta cilësonte veten si një “Ferrari i harruar në garazhd” te Legia, por kjo shprehja i rri fiks Balliut. Shumë ndeshje i lënë në stol dhe Hysaj i aktivizuar para tij. Balliut po i hanin këmbët, jo vetëm që nuk lodhej, por donte që ndeshja të zgjaste 180 minuta për të rikuperuar kohën e humbur. Bën mirë në mbrojtje, nuk bën gafat e zakonshme që jemi mësuar në atë krahë. Pastaj mbështetja që jep në sulm, brilant. Shkon në thellësi, merr me vete lojtarët kundërshtarë dhe për herë të parë pas kualifikueseve të Europianit, shohim Asanin që më në fund ka liri veprimi dhe i hapet hapësirë e madhe përpara. E gjitha kjo, vetëm në saj të Balliut. Nëse Hysaj do të ishte në fushë, do të qëndronte më mbrapa dhe Jasiri i mbuluar mes dy kundërshtarëve, do ta kthente topin sërish mbrapa”.
Ajeti (8): “Për disa që thonë se në Kombëtare duhet parë lojtari se me cilin ekip dhe kampionat luan, çfarë do të na thoni për Ajetin? Mund të luajë edhe në Uzbekistan apo Taxhikistian, por ka personalitet dhe jep garanci në prapavijë. Pafund topa të hedhur në zonë, gjithmonë ishte këmba e Ajetit që i spastronte. E ndiqte sulmuesin gjeorgjian kudo që shkonte, si një bishë i vërtetë në fizik bënte që edhe gjeorgjianët fizik t’u merreshin këmbët dhe të binin në tokë. Ekipet se ku luajnë u shërbejnë vetëm lojtarëve dhe xhepit të tyre, ne shohim performancën në Kombëtare. Jo, faleminderit, zgjedhim Arlind Ajetin, ditë e natë, 24 orë të ditës”.
Ismajli (8): “Kapiten Ismajli rimëshëron Gjimshitin. Në fakt, Berati është ende aty, por tani duket se kemi dy raste Gjimshiti. Të lënë në harresë në Europian dhe kthehen për të arritur kulmin e karrierës. Nëse me Cekinë pati një moment kaotik, me Gjeorgjinë ishte fenomenal. Siguria, qetësia, mënyra sesi të hidhet në këmbë për të hequr topin, grinta që të jep në mbrojtje, janë të gjitha të një niveli tjetër. Shpeshherë gjërat kur i ke nuk i vlerëson, por kënaquni me Ardianin për sa kohë e kemi në Kombëtare sepse do të na mungojë, lojtar si ai vijnë rrallë”.
Mitaj (7.5): “Për cilësitë dhe talentin që ka, nuk ka asnjë diskutim, është kalibër botëror dhe luks për Shqipërinë. Asnjë gabim i vetëm në kontrollin e topit, tallet me kundërshtarët, i deh ata me çdo lëvizje, i kalon nga 2 e nga 3 si të ishin futbollistë të moshave të Gjeorgjisë dhe jo të ekipit të parë. Thjesht ka ndeshje kur Mitaj kursehet dhe kur Mitaj jep gjithçka, dje dha gjithçka dhe u dallua lehtësisht, në kohët e fundit po kursehej shpesh në performancë. Nis edhe aksionin e golit nga këmbët e tij, duhet të punojë pak më shumë me fizikun dhe fazën mbrojtëse për t’u bërë yll botëror”.
Asllani (8.5): “Më i miri! Tani do të flasin të gjithë për të, por Asllani ishte i njëjti, thjeshtë këtë herë shënoi. Është bërë kohë e gjatë që Kristjani nuk luan dobët te Shqipëria, por mbështetja jepet vetëm në fitore dhe kur shënon, këtë herë u bën të dyja. Të gjithë ata që dikur thonin se jo më kot Interi e lë në stol, sot do të thonë se jo më kot është lojtar i Interi. Sa kontradiktore është futbolli, ashtu si jeta, lufto për sukses dhe do t’i kesh të gjithë njerëzit pas vetes, edhe ata që po luten për dështimin tënd”.
Ramadani (6.5): “Ylberi është disi më i zbehtë nga kualifikueset e Europianit. Askush nuk e di saktësisht arsyen, por në atë kohë, na befasonte jo vetëm duke thyer çdo aksion të kundërshtarëve, por edhe duke marrë zvarrë rivalët me topin në zotërim dhe duke përshkruar me top gjithë fushën. Që pas Europianit, i ka humbur tejkalimi i vetes, është më normal. Në pjesën e parë çaloi shumë, nuk dukej fare në mesfushë, u shfaq vetëm në momentin kur shkoi për të ndihmuar Balliun për të ndaluar yllin e Napolit. Por në pjesën e dytë e rriti shumë nivelin dhe prezencën në fushë”.
Qazim Laçi (7): “Super lojtar! Shpeshherë e kemi thënë që Qazim Laçi është një prej lojtarëve më inteligjent që ka Kombëtarja. Në pjesën e dytë thuajse shënon golin e dytë për Shqipërinë kur i heq një rast të pastër goli kundërshtarit, thjesht me një lëvizje trupi. E shikon kudo, në mbrojtjen e Shqipërisë, në mesfushë dhe pastaj në zonën kundërshtare. Edhe kur gabon, duket qartë se nuk e bën nga mendjelehtësia, por e ndien peshën e Kombëtares dhe vuan bashkë me tifozët. Pa të Shqipëria nuk merr kuptim”.
Bajrami (7): “Diçka ka ndodhur realisht me Nedim Bajramin që pas atij goli historik me Italinë. Është një lojtar klasi, nivel tjetër, e tregoi fare lehtë edhe te goli ynë i vetëm, me mënyrën sesi u tall me lojtarin gjeorgjian. Është pikërisht rasti që tregon se Bajrami ka shumë për të dhënë, por po jep kaq pak nga gjithë potenciali që zotëron. Një tërheqje veshi duhet t’i bëhet nga Silvinjo për atë rast fatal të humbur kur Balliu ushtroi presionin e madh dhe gjeorgjianët gabuan. Një goditje e lehtë, pa e vrarë mendjen gjatë dhe përjetimi, si të ishte te Rangersi. Pikësëpari shkon dëm gjithë vrapimi dhe sforcimi i Balliut përtej limiteve të vetes dhe janë shumë zemra tifozësh që qëndrojnë me rrahje të forta deri në fund, pasi Bajrami e merr situatën shumë lehtë. Është super lojtar, por duhet të luajë çdo ndeshje si të jetë e fundit me Kombëtaren, Nedim, Italia i përket së shkuarës tani”.
Jasir Asani (7): “Sa keq që nuk kemi parë Jasir Asanin në vitet e mëparshme te Shqipëria. I vetmi problem për të duket ana fizike, duket qartë se e vuan edhe vetë që nuk mund të bëjë dot, ato që mundet. Pasimet i kalibron si lojtar të klasit botëror, e ka lëvizjen e bukur që shmang kundërshtarin, bën çdo gjë në përsosmëri, por i duhet freskia fizike për t’u kthyer aty ku i takon. Balliu i jep më shumë hapësirë dhe na e kthen më shumë Jasirin si në kualifikueset e Europianit”.
Tuci (6.5): “Debutim nga minuta e parë, provë e mirë e Indrit Tucit. Bën shumë më mirë se Mirlind Daku kundër Cekisë. I mungon besimi në vete dhe fiziku, nga koha e gjatë e qëndrimit në stol në Ceki. Lojtar kokëulur, punëtor dhe që të jep besim të verbër që edhe nëse del i vetëm para portierit, sërish do të pasojë te shoku i tij për të bërë më të sigurtën. Ka ende shumë punë përpara, por mundësia është aty”.