Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria humbi në transfertën e djeshme kundër Çekisë në shifrat 2-0. Një ndeshje kjo që nuk la aspak shije të mirë tek tifozët shqiptarë pasi Kombëtarja nuk u pa në lartësinë që na ka mësuar shpesh ta shohim. Më poshtë mund të gjeni vlerësimet e bëra nga Sport Ekspres për disa prej lojtarëve të Kombëtares.
Strakosha (4.5): “Për të kuptuar vlerësimin e tij real, kjo ndeshje ishte më e mira. Ndodh shpesh që e justifikojmë Strakoshën duke thënë se nuk mund të bënte diçka më shumë te goli i pësuar apo se goli i pësuar nuk ishte faji i tij. Megjithatë portieri është aty edhe për të mbuluar gabimet e shokëve të ekipit, edhe për të kryer një mrekulli. Ashtu siç e bëri në fakt portieri e Cekisë në rastin e Kristjan Asllanit, që nëse do të ishte në anën e kundërt, ne do ta kishim pësuar gol. Në golin e dytë nëse do të ishte më i përqendruar dhe do ta lexonte më mirë situatën, do ta kishte shpëtuar golin. Një portier i mirë është ai i cili në fund të fushatës kualifikuese, i jep minimumi 3 pikë ekipit falë magjive të tij dhe pritjeve që në dukje janë të pamundura. Tek ne, Strakosha nuk ia ka dhënë ende pikën e parë Shqipërisë dhe të vetmet rastet kur ai shkëlqen, është kur porta e Shqipërisë kthehet në një tabelë qitje duke na ndihmuar që humbja të mos jetë goleadë, por më e ngushtë, megjithëse sasia e pikëve mbetet po ajo, zero”.
Mitaj (5.5): “Dicka ka ndryshuar te Mitaj, në Ligën e Kombeve duket se nuk e ruan të njëjtin shkëlqim, ndoshta edhe për shkak të uljes së rëndësisë së këtij kompeticioni. Vecanërisht në fazën mbrojtëse ky lojtar po calon shumë, madje në disa momente e ngatërroje edhe me Nedim Bajramin. Duket se aktivizimi i tij si mesfushori te Al Itthad e ka bërë lojtarin tonë që të dalë më para edhe te Kombëtarja, për të harruar detyrën e tij kryesore, atë të mbrojtjes. Në aftësinë e tij të kontrollit të otpit dhe driblimit, është padyshim në nivel të lartë. Ndoshta për “fatin e keq” kemi kaq shumë alternativa në krahun e majtë të sulmit pasi nëse nuk do të kishim, një “Ermir Lenjani” në version të ri dhe më të perfeksionuar do të ishte Mario Mitaj, për t’i besuar roli e sulmuesit të krahut të majtë dhe për t’i dhënë më pak detyrat mbrojtëse. Kështu do të shfrytëzonin në maksimum aftësinë e tij sulmuese dhe do të reduktonim dëmet në mbrojtje”.
Marash Kumbulla (4.5): “Një akademik i shkëlqyer, por në Kombëtare, nuk mjafton vetëm kaq, nuk mjafton vetëm të jesh një ekselent i teorisë, por duhet të shkëlqesh edhe në praktikë. Marash Kumbulla është pikërisht rasti në fjalë, merr notën 10 në teori dhe merr notën 4 në praktikë. Nëse sheh statistikat, janë 6 heqje topi, 4/8 duele ajrore të fituara prej tij, por këto shifra nuk tregojnë asgjë. Kumbulla është një mbrojtës cilësor, që çalon shumë te Shqipëria. Arsyeja? E thjeshtë! Kumbulla ka profilin e një lojtar të qetë, të ftohtë dhe aspak agresiv. Nëse Marashin e kalon, e sigurt është që nuk të kthehet për herë të dytë me dëshirën e madhe të hakmarrjes për të rimarrë topin dhe duelin. Nëse Ismajlin e kalon, e sigurt është që Ardiani do të hidhet me sparkatë nga mbrapa shpine. Nëse Gjimshitin e kalon, e sigurt është që Berati do të jap gjithçka që ia lejon fiziku për ta rikuperuar atë duel të humbur që mund të kushtojë shumë. Ndërsa ky nuk është rasti i Kumbullës, për të një duel i humbur është vetëm statistikë, që në fund nuk do t’i rëndojë mes shumë të fituarëve, por që Shqipërisë i kushton rezultatin. Kështu Marashi tregohet edhe njëherë tjetër një akademik i shkëlqyer, për të kryer detyrat normale dhe për t’u mos fajësuar nga tifozët, por nëse i futesh detajeve, e kupton që është tërësisht larg profilit të një mbrojtësi titullar të Shqipërisë që të jep garanci, është shumë larg”.
Kristjan Asllani (6): “E kritikojnë, e shajnë, por vetëm ata që kanë pak njohuri nga futbolli dhe që nuk e shohin një ndeshje me vëmendje. Sigurisht që në një mes kaosi të tillë si luajti Shqipëria kundër Cekisë, edhe nëse do të vinte Calhonglu lojtari titullar i Inter për të veshur fanellën e Shqipërisë, nuk do të bënte më shumë, e jo më Asllani, që nuk ka shumë minuta në këmbë. Por të kritikosh Asllanin në një ekip të tillë si ai i Shqipërisë, është dashakeqësi, nëse jo mungesë njohurie për të konceptuar futbollin. Silvinjo duhet që në linjën e mesfushës me tre, të mbajë Qazim Laçin dhe Ylber Ramadanin më mbrapa për t’i lënë më tepër detyra mbrojtëse dhe t’i jap më shumë liri Kristjan Asllanit për të ndërtuar përpara dhe për të goditur portën, pasi ka goditje të mirë me të dyja këmbët, me të djathtën dhe me të majtën. E tregoi saktësisht kur portieri i Cekisë i bëri një pritje të pamundur duke i hequr golin e sigurt. Por për shkak se lojtarët e Kombëtares shkaktojnë një konfuzion të madh për të dalë nga mbrojtja në mesfushë dhe nuk munden të bëjnë disa pasime të sakta, Asllani detyrohet të kthehet prapa në vendin e një qendër mbrojtësi për të nxjerrë topin nga mbrojtja. Disa do të thonë se kjo detyrë është kaq e lehtë për t’u bërë, por nëse e shikoni me hollëse, nuk e bën dot asnjë futbollist tjetër”.
Jasir Asani (6): “Të gjithë do të kujtojnë atë rast të humbur të Asanit, që mund ta kishte bërë Shqipërinë të dilte me pikë nga ky takim dhe mund të kthente rrjedhën e historisë. Sigurisht që nuk është në shkëlqimin e tij, por edhe në këtë moment, Asani është lojtari i domosdoshëm te Kombëtarja. Pasimet e bëra apo krosimet e rrezikshme që i ka si cilësi në këmbët e tij, e bëjnë një lojtar të rrezikshëm dhe që është shumë i vlefshëm për këtë Kombëtare pasi ka aftësinë për të kthyer një ndeshje që duket e mbyllur. Kështu e bëri edhe me Poloninë në shtëpinë tonë pasi Polonia po luante me një portë në Air Albania, kështu e bëri edhe me Çekinë në Air Albania. Këtë herë topi nuk hyri në rrjetë, por në këtë Kombëtare janë shumë të tjerë që e kanë ulur ritmin dhe këtu nuk është përgjegjësia e Jasirit”.
Mirlind Daku (4): “Shumë tifozë të Shqipërisë kanë mbetur të shokuar dhe pa fjalë nga performanca e Mirlind Dakut. Kishim pritur kaq shumë gjatë për ta parë nga minuta e parë, e kishim kritikuar Silvinjon kaq shumë herë që nuk e aktivizonte si titullar dhe në fund, përpara nesh u shfaq një skenë që askush nuk po i besonte syve. Urojmë që të ketë qenë thjeshtë një ditë “JO” për shkak të mungesës së energjisë apo një ulje ritmi nga vetë Daku, pasi nëse Mirlind dha maksimumin e tij në Çeki, atëherë ka kaq shumë punë përpara për të bërë që të kërkojë më pas transferimin e madh në merkato. Humbi çdo duel të vetëm me dy qendër mbrojtësit e Çekisë, madje edhe ato në ajër, nuk fitoi kurrë një duel. Të bënte po aq habi fakti që edhe në stopimin e topit, që është kaq e thjeshtë për një lojtar profesionist, topi nuk i bindej Mirlindit. Kaotik në çdo moment, ndërsa edhe rastet që iu paraqitën në zonën kundërshtare, në asnjë moment nuk futi një top të rrezikshëm për të shërbyer shokët e ekipit dhe jo më për të tentuar portën. Statistikat flasin qartë, 29 herë e preku topin gjatë ndeshjes, 16 herë ia morën topin kundërshtarët. E shihje duke kërkuar faull imagjinarë nga arbitri, duke u rrëzuar në tokë, duke u kacafytur me kundërshtarët, duke bërë gjithçka, por më shumë se të gjithë, Daku dukej se e kishte me veten, trupi nuk po i përgjigjej. Zhvilloi ndeshjen më të dobët me fanellën e Shqipërisë, Kombëtarja luajti pa sulmues kundër Çekisë dhe Mirlindi bën mirë t’i hedh një “ujë të ftohtë” syve përpara se të futet në fushë ndeshjen tjetër, kështu nuk mund të vazhdohet, thirrjet patriotike ia lëmë TKZ, e bëjnë më së miri në tribunë, ne na duhet një sulmues që të flas në fushë”.