Notat e Shqipërisë/ Hysajn e ndez Serbia, Bajrami si në “All Stars”, Broja nuk njihet më

Shqipëria ka arritur që të fitojë në shifrat minimale 1-0 kundër Letonisë. Një tjetër ndeshje ku Kombëtarja nuk ka bindur, por këtë herë mjaftojnë 3 pikët për të na mbajtur në lojë deri në fund për ëndrrën e madhe të Botërorit. Më poshtë mund të gjeni vlerësimet e bëra nga Koha Shtesë për disa prej lojtarëve të Kombëtares:

Elseid Hysaj (8): “Lojtari i ndeshjes! Për fatin e keq, kur Shqipëria shkëlqente në gjithë pjesën e ekipit dhe në shumë reparte më parë, Hysaj ishte katastrofë. Ndërsa tani që Shqipëria vuan në shumë drejtime, Hysaj është më i miri. Ajo ndeshje me Serbinë e ka rilindur dhe Hysaj ka nxjerrë dy ndeshje rresht, ndeshjet më të mira me Kombëtaren. Në një moment madje e goditi topin aq fort në ajër dhe e kapi po vetë, i tregonte Brojës se ku duhej të dilte, si të dilte dhe ta jepte topin në këmbë. Super nivel”

Mitaj (7): “Në anën sulmuese nuk ishte shumë prezent sa më parë. Por në fund na shpëton nga një gol i sigurt, një ndërhyrje në vijën fatale që kishte vlerën e një goli të shënuar. Prekjen e topit e ka magjike dhe herë pas here bënte një lëvizje, nga ato të pakta që shihnim në fushë, që elektrizonin njerëzit në shkallët e stadiumit”.

Kristjan Asllani (7): “Super ndeshje edhe nga Kristjan Asllani. Kritikohet vetëm në momentin që Shqipëria humbet dhe barazon jo sepse nuk luan mirë, por sepse i bie më shumë në sy loja e tij. Ndonjëherë duket sikur e vonon diçka në pasim apo që nuk sheh shumë përpara, por ky është stili i lojës së Kristjan Asllanit dhe kështu Interi e bleu nga Empoli. Ka lëvizje klasi me top dhe pa top, driblon dhe me lëvizje trupi, ndërsa penalltia e gjuajtur ishte saktësisht ajo që tregon gjithë teknikën e tij, e pret portierin të hidhet në një krahë që të dërgojë topin në tjetrin”.

Julian Shehu (7): “Mban lartësinë e Kristjan Asllanit. Atë që Asllani nuk e ka në reporterin e tij, topin dhe pasimin e shpejt, e ka Julian Shehu. Super performancë e mesfushorit tonë që tregon edhe njëherë tjetër sesa vlen dhe që është i pazëvendësueshëm”.

Nedim Bajrami (6): “Herë pas here, të jep përshtypjen se Nedim Bajrami është një ndeshje All Stars ku e gjithë bota mban sytë që të shoh sesi Thierry Henry, sesi Ronaldo fenomeni janë duke luajtur akoma. E ka lëvizjen e klasit, atë që turpëron rivalët dhe kështu e nisi ai aksionin e penalltisë duke futur bukur topin mes këmbëve të kundërshtarin. Por fizikisht gjendja e tij ishte thuajse…katastrofë! Shqipëria nuk e ka luksin që të luajë pa sulmuesit e krahut, që të jenë në gjendje të tillë fizike. Diçka nuk shkon me të dhe është një humbje e madhe për Shqipërinë. Bajrami mund të hiqet nga fusha, por kjo nuk është zgjidhja, Shqipëria ka nevojë për Bajramin e kualifikueseve të Europianit, ky i tanishmi është si ai Bajrami i parë vetëm në disa fraksione loje, më pas duket si një futbollist që nuk ka më dëshirë dhe gjunjë”.

Armando Broja (5.5): “është shumë larg Armando Brojës që ne të gjithë presim. Duket një lojtar i tjetërsuar, që nuk ka më dëshirën që t’i futet driblimeve, që t’i afrohet portës dhe ta rrezikojë atë. Mungesa e stërvitjes në periudhën e pushimeve duket qartë dhe prandaj Burnley e ka dërguar në tribunë në të gjitha ndeshjet e nisjes së sezonit në Premier League. Por ndryshe nga Gjibraltari, i jep disa sinjale të mira. Këtë herë pason dhe nuk e mban topin më kot, fut dy topa të mirë në qendër që nëse do të devijoheshin nga Manaj do të ktheheshin në gol dhe punon më shumë në mbrojtje. Fizikisht, gjendja shumë e keqe”.

Rei Manaj (5): “Lojtari më i dobët në fushë! Dy herë vijnë pasimet e Brojës tek ai dhe Manaj nuk bën detyrën për të sulmuar qendrën e zonës dhe për ta shtyrë topin drejt rrjetës. Një notë për forcën dhe faktin se është luftarak në duelet ajrore, por më pas, asgjë më shumë”.