Notat e Shqipërisë/ Manaj merr 4, Asllani tregon që vjen nga Inter, Ramadani nuk i beson syve për veten

Nga Klaudio Ndreca

Më poshtë mund të gjeni vlerësimet e bëra nga Sport Ekspres sa i përket lojtarëve të Shqipërisë për ndeshjen Shqipëri-Gjeorgji.

Strakosha (6): “Nuk ka peshë faji te goli i pësuar, por ndeshje të tilla e bëjnë të duket keq para tifozëve. Janë ndeshje në ekuilibër të plot ku në atë pak raste që kundërshtari godet portën, çdo lëvizje e portierit shikohet me lupë. Realisht, duhet dhënë merita lojtarët gjeorgjian, Strakosha nuk mund ta evitonte dot golin. Na mban në lojë me dy pritje të tjera të bukura që do të kishin mbyllur ndeshjen dhe nuk do të shpresonim në shtesë. Por Strakosha ka vetëm një gabim, e ka më të thjeshtë të pres dhe të bëjë heroin në rastet më të vështira kur lojtari kundërshtar është para tij në duelin tek për tek, sesa të pres goditjet e befasishme nga distanca. I mungon nuhatja për elementin e befasisë nga kundërshtari, kapet në kundër kohë. Kështu u kap në golin e Ukrainës me gabimin e bërë, këtë herë nuk mund të shpëtonte dot portën, por mund t’i kishte shkuar më afër tentativës për ta ndaluar atë top”.

Hysaj (6.5): “Hysaj i ekstremeve. Kur luan mirë në ekip, zhgënjen te Shqipëria dhe kur mbërrin në momentin që po përjeton dramën në ekip, mes përjashtimit dhe turpërimit që po i bëjnë te Lacio, duke kërkuar çdo rrugë për ta larguar nga skuadra, bënë ndeshjet e jetës te Kombëtarja. Super ndeshje kundër Ukrainës, super ndeshje kundër Gjeorgjisë. Jo vetëm që mbron, por këtë herë ndaj Gjeorgjisë ishte shumë present edhe në lojën tonë sulmuese. Jo vetëm që nuk mund ta kritikosh, por dallonte mbi të gjithë të tjerët”.

Ismajli (6.5): “Një tjetër ndeshje mjaft e mirë e Ismajlit, përveç atij momenti në fund ku e uli përqendrimin në rastin që Strakosha bëri heroin dhe Shqipëria nuk pësoi një tjetër gol. Performancë mjaft positive nga Ismajli që me sparkatën e tij shpëtoi sërish portën e Shqipërisë gjatë ndeshjes, duke bërë sërish Strakoshën, por me këmbë”.

Kumbulla (6): “Ndeshje e mirë, Marashi po kthehet si dikur, por nuk mund të arrijë dot staturën e Berat Gjimshitit. Duhet kuptuar që Kumbulla sapo ka nisur që të luajë në ekip pas një kohë të gjate jashtë fushe. I ngjan më tepër një mbrojtësi që mbyll detyrat më të thjeshta, që nuk bën gabime, por te mbrojtja e Shqipërisë kërkohet shumë më tepër se kaq. Në golin e pësuar, mund ta sulmonte më shumë kundërshtarin që të mos godiste dhe mund t’i bllokonte më tepër rrezen”.

Mario Mitaj (6): “Nuk ishte kjo mbrëmja e Mitajt dhe lojtarit që na ka mësuar të shohim te Shqipëria. E kuptueshme, është e pamundur që në çdo ndeshje Mario të shkëlqejë dhe të mos ketë një ditë JO. Këtë herë ndaj Gjeorgjisë duket dita JO e tij. E kishte ulur disi impenjimin, nuk kishte të njëjtin ritëm si ndaj Ukrainës dhe kjo vihej re qartë”.

Nedim Bajrami (5): “Tërësisht në hije, Bajrami e mbylli ndeshjen me Ukrainën dhe nuk u shfaq në fushë as kundër Gjeorgjisë, pavarësisht se ishte në formacion. Asnjë ngjashmëri me Bajramin që jemi mësuar të shohim te Shqipëria dhe nuk ishte çështje pozicioni apo skeme. E nis mbrapa sulmuesit në rolin e preferuar, por as në pjesën e parë ku Shqipëria luan më mirë nuk shihet në fushë për të bërë diçka ndryshe dhe për të rrezikuar kundërshtarin. Në pjesën e dytë Silvinjo e kalon në vendin e Arbër Hoxhës, por nëse Hoxha jepte shkëndija të vazhdueshme, pasi Bajrami kaloi në këtë pozicion, Shqipëria mbylli ndeshjen dhe sulmet nga krahu i majtë”.

Ylber Ramadani (5): “Ndeshja më e dobët e Ylber Ramadanit te Shqipëria. Nëse për të tjerët ka pasur një ulje impenjimi dhe fizikisht kanë rënë pas Ukrainës, Ramadanit thjeshtë nuk po i përgjigjeshin këmbët në atë mbrëmje në Air Albania. Gaboi shumë herë disa pasime shumë të thjeshta dhe vetë futbollisti e shfaqte me gjuhën e trupit se nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte me të. Kërkonte falje vazhdimisht, por gabimi përsëritej sërish”.

Kristjan Asllani (7): “Lojtari klasi për Shqipërinë, Shqipëria luajti vetëm me një mesfushor kundër Gjeorgjisë praktikisht, pavarësisht se në teori duhej të ishin tre, përfshirë edhe Bajramin. Sigurisht që tentativat e tij drejt portës nuk ishin më të mirat e mundshme, por kushdo që e ka parë ndeshjen me vëmendje dhe jo me syrin e një tifozi të flaktë që kërkon vetëm golin, e kuptoni vlerën e Asllanit. Është lojtari ndryshe te Shqipëria, janë këmbët ndryshe te Shqipëria, mes 3 lojtarëve kundërshtarë, lëviz bukur me trup, i shmanget rrezikut dhe hap topin në krahun tjetër. Jo vetëm një rrezik i shmangur dhe qetësi e dhënë për ekipin tonë, por prish edhe rreshtimin e kundërshtarit pasi 3 lojtarë të tyre dalin huq. Bën gjithmonë lëvizjen e kundërt që të tjerët presin, sa i përket kontrollit të mesfushës meriton notën “10”. Jo më kot është pjesë e Interit, shpeshherë është ekipi që përfaqëson që tregon për vlerat që ke”.

Jasir Asani (5.5): “Një ditë JO edhe për Jasir Asanin. Pavarësisht dëshirës për të bërë mirë, ishte i mbuluar dhe i dubluar gjithmonë nga dy kundërshtarë që nuk i lanë asnjë hapësirë të vetme. Dukej shumë i lodhur fizikisht dhe në disa momente topat e humbur prej tij në kontroll mund të shkaktonin probleme. Por ishte i vetmi mes lojtarëve të Shqipërisë që pranoi ditën “JO” dhe kërkoi falje për performancën jo të mirë”.

Arbër Hoxha (6.5): “Disa do të thonë: “Ku e keni Hoxhën? Është ndryshe kur hyn 10 minuta dhe ndryshe kur hyn titullar”. Për këdo që shtron këtë tezë, mjafton t’i kujtoni se sa doli Arbër Hoxha nga fusha dhe vendin e tij e mori Bajrami, Shqipëria u stakua si me buton në fazën sulmuese, ndaloi së luajturi futboll dhe mbylli ndeshjen para kohe. Bajrami nuk mori dot asnjë incursion të vetëm në krahun e majtë. Hoxha e nisi në perfeksion, rrezik konstant në krahun e majtë, pavarësisht se po mbulohej me 2-3 lojtarë nga kundërshtari. Me kalimin e minutave te Gjeorgjia nisën disi ta mbyllnin, por e mira e Arbër Hoxhës është fakti që edhe nëse i del huq driblimi, kishte vetëm një rast të vetëm kur kundërshtari i mori topin. Pra në të gjitha momentet e tjera, Arbër Hoxha ose e driblonte kundërshtarin ose i dilte huq driblimi, por kishte ende topin në këmbë dhe e pasonte te shoku i skuadrës. Lojtar që luan futboll, pakkush e bën futbollin e tij, por ka ende shumë vend për përmirësim”.

Rei Manaj (4): “Një lojtar i nivelit të lartë nga një lojtar i nivelit normal dallohet vetëm nga vazhdueshmëria. Pas ndeshjes së jetës me Ukrainën, vjen tre ditë më vonë ndeshja më e dobët në karrierë te Shqipëria kundër Gjeorgjisë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Manaj të humbiste çdo duel të vetëm fizik, të mos kalonte kurrë një kundërshtar dhe të gabonte në pasime të thjeshta, aq sa një rast për pak pësuam gol prej këtij neglizhimi. Vazhdon të simulojë duke e tepruar, pasi e sheh të pamundur për të fituar duelin, rrëzohet në tokë dhe krijon alibinë në stadium se arbitri nuk po i jep faullin. Duket tipi i lojtarit që mund të shërbejë kundër ekipeve më të mëdha për të hyrë në duel me mbrojtësit kundërshtar dhe për të mos e kursyer veten në një ndeshje të veçantë dhe specifike, por jo për t’u përdorur si sulmuesi kryesor i Shqipërisë në vazhdueshmëri dhe për ta hedhur në fushë në ndeshje që kërkohet të fitohen me patjetër”.