Notat e Shqipërisë me Gjibraltarin! Broja të bën me nerva, Shpendi ishte fantastik, Daku…të shokon!

Shqipëria ngec në ngushticën e Gjibraltarit! Kur u vendos kjo miqësore, u mendua se më në fund Shqipëria do të kthehej në një fitore të thellë dhe shumë lojtarë do të përmirësonin rekordin e golave të tyre me Kombëtaren.

Por jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por u desh një penallti e kthyer në gol nga Jasir Asani në minutën e 70 që Shqipëria të fitonte në shifrat 0-1. Një ndeshje e vakët, ku shumë lojtarë nuk dëshironin të impenjoheshin në maksimumin e tyre dhe që prodhoi në shumë minuta skena të mërzitshme dhe që duhej të evitoheshin. Në fund ajo që vlen është shpëtimi i fytyrës dhe disa lojtarë të rinj që u aktivizuan, por në ndeshjen e gabuar. Ndërkohë më poshtë mund të gjeni vlerësimet për disa prej lojtarëve nga Sport Ekspres:

Cristian Shpendi (7): “Lojtari më i mirë i ndeshjes dhe që të mbush me shpresë sadopak në këtë miqësore zhgënjyese. Ishte penalltia e fituar prej tij që shpëtoi fytyrën e Shqipërisë. Një sulmues që e kërkonte topin në zonë, lëvizte mirë me të dhe ishte gjithmonë aty për ta goditur drejt portës dhe për të rrezikuar. Nuk kishte asnjë lloj mëndjemadhësie në fushë, bënte gjëra më të thjeshtë, pa e vonuar topin dhe pa kërkuar hije të rëndë, por kjo thjeshtësi e bëri të dukej mbi të gjithë. Mëkat që nuk shënoi”

Mirlind Daku (4): “Mirlind Daku është një stil i cuditshëm lojtari dhe sulmuesi. Kur hyn titullar, jo vetëm që luan dobët, por hera herës është e frikshme sesi një lojtar profesionist që mbi të gjitha shënon nga dy gola për ndeshje në Rusi, të mos arrijë dot të stopojë topin në Kombëtare. Dukej sikur kishte hyrë në fushë pa nxehmje, pa asnjë lloj impenjimi dhe dëshire në rastin më të mirë dhe kjo ndodh e përsëritur si titullar. Ndërsa kur hyn nga stoli si kundër Serbisë, ngjason me Ronaldo fenomenin që topi përplaset në 3 lojtarë, por në fund e ka gjithmonë Daku. Performanca sot ishte katastrofale”.

Kacurri (6): “Debutimi ishte sot dhe dicka më shumë mund të falet. Megjithatë pritej dicka më shumë edhe nga Maldin Kacurri. Në fizik duket si të jetë një mundës apo një boksier dhe ashtu kërkon t’i zgjidh edhe gjërat në fushë, duke përdorur gjithmonë trupin që i mund kundërshtarët dhe i zhvendos. Por futbolli nuk është vetëm boks dhe mundje, por edhe lojë me top. Në kontrollin e topit, Kacurri kishte shumë pasigurie dhe në disa raste e humbi atë, ka shumë për të punuar që të luajë në nivele të larta”.

Medon Berisha (6.5): “Një ndeshje e mirë e Berishës, pavarësisht se në fillim nuk nisi edhe aq bukur. Disa gabime të bëra prej tij dhe duele të humbura, por më vonë e rigjen veten. Dy goditje të forta nga distanca në pjesën e parë ishin për t’u përgëzuar. Në një ndeshje tjetër, ku edhe të tjerët mund të jenë në nivel të lartë, puna e Berishës mund të shihet më mirë”.

Armando Broja (6): “Në disa momente fillon të driblojë gjithë ekipin e Gjibraltarit, por asnjëherë që aksionin e krijuar nga vetë ai të përfundohet në mënyrën më të mirë. E merr shumë lehtë dhe me kthimin e topit mbrapa sfumon shumë aksione të rrezikshme të Shqipërisë. Broja duhet ta dalë përfundimisht nga krahu me këtë stil loje, nxjerr keq Brojën dhe përkeqëson gjendjen shëndetësore të tifozëve shqiptarë, vecanërisht atë nervore”.