“Nuk do e besoja dot 10 vite më parë këtë moment”, Gjimshiti i emocionuar: Tre pikët nesër kundër Andorrës

Silvinjo ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme kundër Andorrës. Trajneri i Kombëtares ka bërë thirrje për kujdes nga ana e lojtarëve të tij në këtë ndeshje shumë të rëndësishme, duke përmendur faktin se Andorra pëson shumë pak gola.

“Andorra ka një trajner që po bën shumë kohë me ekipin, di t’i nxjerrë maksimumin. Lojtarët luajnë për cdo top, për cdo centimetër të fushës. është një ekip që nuk pëson më shumë se dy gola, mbrohen shumë mirë. Anglia fitoi vetëm 1-0 këtu, ndërsa edhe Serbia për pjesën më të madhe të ndeshjes ishte 1-1.
E dimë që nuk do të jetë e lehtë. Edhe në ndeshjen e parë ishte e tillë, pasi shënuam golin e dytë u qetësuam. Shqipëria është rritur shumë, Federata, rezultatet, puna flet vet. Por ndërkohë që rritemi ne, rriten edhe të tjerët. Kur luan jashtë është më e vështirë se në shtëpi, vecanërisht ne kemi më shumë rezultate të mira brenda sesa jashtë”, tha Silvinjo.

Nga ana tjetër, kapiteni Gjimshiti nuk e fshehu dot emocionin për këtë moment të Kombëtares tonë. “Kemi ardhur këtu për një qëllim, të marrim 3 pikët. Na nevojiten për kualifikueset. Kemi parë ndeshjet e Andorrës kundër Anglisë apo Serbisë që i kanë vendosur në vështirësi. Do jemi me vetëbesim dhe duam të marrim 3 pikët. Duhet të jemi të fortë mentalisht. Ndeshje shumë e rëndësishme. Të japim gjithçka për të marrë 3 pikët. Nuk e besoja 10 vjet më parë për këtë moment. Gjithçka është e mundur në futboll. Na kanë ardhur disa lojtarë të fortë dhe me cilësi. E kanë vendosur në vështirësi trajnerit për të zgjedhur. Kualiteti është rritur në disa aspekte dhe është mbajtur grupi, kjo është gjëja më e rëndësishme që kemi ne”, tha Gjimshiti. /Sport Ekspres/