“Nuk e durojmë dot, por na mbetet vetëm të qajmë rastet e humbura”, Shehi pas humbjes: Jemi të mërzitur

“Abissnet Superiore” ka njohur sot fituesin e saj të këtij edicioni. Egnatia ka mposhtur Partizanin në finalen e “final four”-it, duke siguruar trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Rrogozhinasvve u ka mjaftuar goli i shënuar nga Ibrahimogluja në minutën e 35 të takimit për të mposhtur kampionët në fuqi të Superiores.

Partizani u përpoq të ndryshonte fatin e takimit, por në fund nuk arriti t’ja dilte dot. Egnatia ka shkruar kështu historinë, teksa për të parën herë në historinë e saj fiton titullin kampion në elitën e futbollit shqiptar. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Shehi (Partizani): “Mërzitja është prezente. Po të kishim shënuar, ndeshja do të kishte marrë drejtim tjetër. Pësuam një gol të evitueshëm. Patëm rastet tona. Presioni në ndeshje të tilla është i madh. Ndoshta ndikoi te lojtarët në pjesën e parë. E thashë në konferencën për shtyp që episodet do të vendosin dhe ashtu ndodhi. Pësuam me një rast. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të qajmë ato rastet e humbura. Do ta pranojmë, nuk kemi ç’të bëjmë. Nuk e durojmë dot, por do ta pranojmë.”/Halit Delibashi-Sport Ekspres/