“Nuk e kuptoj, ishte prekje e topit me dorë”, Nagelsmani do botërorin pas eliminimit: Na dhemb që do presim 2 vite për t’u bërë kampionë bote

Gjermania është eliminuar mbrëmjen e sotme nga Kampionati Europian. Një gol në minutën e 119 vulosi humbjen e tyre përballë Spanjës. Julian Nagelsmani ka shfaqur pakënaqësinë e tij me arbitrimin pas përfundimit të ndeshjes, duke pretenduar për penallti të pastër rastin e prekjes së topit me dorë nga Kukureja, kur shifrag ishin ende 1-1. Trajneri i Gjermanisë ka zbuluar edhe objektivin e ri të Kombëtares që ai drejton, që është fitimi i Kupës së Botës 2026.

“Nuk arrij ta kuptoj. Ishte një prekje e paqëllimshme me dorës, por ishte prekje me dorë. Topi do të kishte shkuar në portë. Është e dhimbshme. Të dhemb kur eliminohesh në këtë mënyrë. Gjithashtu, na dhemb fakti se na duhet të presim 2 vite për t’u bërë kampionë bote. Kjo është ajo që duam. Ky është objektivi jonë tani”, ka deklaruar Julian Nagelsmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/