Një ndeshje në kufijtë e së pabesueshmes ajo e çerekfinales së Champions League mes Man City dhe Real Madrid. Qytetarët luajtën futboll dhe dhuruan spektakël, por në fund ishin madrilenët, të cilët këtë herë nën drejtimin e italianit Anceloti luajtën si një ekip i “Serisë A” dhe kaluan në gjysmëfinale.
Rodrigo shënoi golin e parë në minutën e 12, ndërsa Kevin De Bryune barazoi në të 76. Kështu do të mbyllej koha rregullt, në shifrat 1-1, ndërsa edhe pas 30 minutave të shtesës nuk kishte ndryshime. Statistikat flisnin qartë për dominimin e anglezëve.
Man City kishte 64% mbajtje topi karshi 36% për Realin, 34-8 ishin gjuajtjet dhe 18-1 kornet e fituara gjatë 120 minutave loje. Në fund, në ruletën ruse ishte Reali që kaloi më tej. Pasi Modric humbi penalltinë, te ekipi i Guardiolës gaboi Bernardo Silva dhe Kovacic duke kaluar spanjollët më tej. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve të kësaj ndeshje:
Rodri: “Të jem i sinqertë, unë kam pasur sot në fushë vetëm një ekip”.
Pep Guardiola: “Nuk pendohem për asgjë, nuk pendohem për veprimet e marara në këtë ndeshje. Kemi luajtur në mënyrë mbreslënëse, në çdo minutë të kësaj ndeshje dhe fatkeqësisht nuk fituam. Kemi krijuar kaq shumë mundësi për të fituar, por futbolli është shënimi i golit. Faleminderit shumë lojtarëve të mi, por për fatin e keq, Real Madridi është në gjysmëfinale dhe ne nuk jemi. Akanji, Haland dhe De Bryune më kërkuan që të largoheshin nga fusha, nuk mund të vazhdonin dot më. Real Madridi është mbyllur prapa në mbrojtje, në thellësi, ka ndodhur edhe më parë kundër nesh. Duhej ta kishim mbyllur para kohe këtë ndeshje, para penalltive. Nuk ndodhi, kishim shumë raste dhe nuk i shfrytëzuam. Por në këtë kompeticion, në këtë nivel, kështu luhet, me detaje të vogla. Në sporte të tjera do të kishim fituar me stastitika, por në futboll, ndodh kjo. Luajtëm si luajtëm, në mënyrë fantastike dhe nuk ia dolëm. Dua të uroj Realin, kanë rezistuar deri në sekondën e fundit duke u mbrojtur. Ne bëmë pothuajse gjithçka dhe në fund një humbje e tillë dhemb, por çfarë mënyre fantastike për të humbur”.