Partizani ka dalë triumfues në derbin me Dinamon. Të kuqtë janë kthyer më në fund te fitorja, duke mposhtur dinamovitët me rezultatin 2-0. Goli i parë u shënua në minutën e 30 nga Bintsukaja, ndërsa në pjesën e dytë, më saktësisht, në minutën e 70, Albers Keko dyfshoi shifrat. Me këtë humbje, Dinamoja mbetet jashtë 4-shes, megjithëse ndan të njëjtin numër pikësh me Tiranën.
Ndërkohë, Vllaznia është ndalur në një barazim 0-0 nga Teuta. Shkodranët kanë hyrë në një krizë rezultatesh në javët e fundit, duke rrezikuar ndjeshëm edhe vendin e dytë në renditje. Partizani është vetëm një pikë larg tyre. Më poshtë mund të lexoni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Mehmeti (Dinamo): “Në 30 minutat e pjesës së parë duhet të ishim më të përqendruar dhe më agresivë. Kemi humbur shumë dyluftime dhe zbritëm shumë poshtë. Më vjen keq, sepse skuadra pëson gol dhe pastaj reagon. U thashë lojtarëve që Partizani do ta niste vrullshëm. Morëm një penallti dhe aty mund ta kishim ndryshuar ndeshjen. Ndeshja u mbyll me kartonin e kuq. Nuk i sinkronizuam mirë kohët e presionit. Partizani ishte shumë më i vendosur për të fituar dyluftimet. Filtri i parë duhet të ishte shumë më agresivë. Skuadra e nisi jo ashtu si duhet në aspektin psikologjik, jo me besimin e duhur. Partizani e meritoi fitoren. Faktori kyç i kësaj ndeshjeje ishte menaxhimi jo i mirë i 30 minutave të para”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/