“Nuk e prisja nga tifozët e Liverpulit! Por kur fiton, qesh“, Guardiola reagon pas humbjes: E ndjej që do rinisim fitoret

Një tjetër mbrëmje e vështirë për Pep Guardiolën. Sot Mançester Siti numëroi ndeshjen e 7 radhazi pa fitore. Si për të mos mjaftuar rezultati negativ, trajneri katalanas është përballur edhe me koret ironizuese të tifozerisë kundërshtare. “Do të shkarkohesh nesër, do të shkarkohesh nesër“, ishin thirrjet në kor që pushtuan “Enfildin“ në fund të ndeshjes. Guardiola u përgjigj menjëherë, duke u treguar numrin e titujve që ka fituar në Premier Ligë.

Në deklaratën e dhënë pas përfundimit të ndeshjes, Guardiola është shprehur se nuk e priste këtë veprim nga tifozët e Liverpulit. Megjithatë, ai është shprehur se ekipi i tij do të kthehet sërish në rrugën e fitoreve.

“Jam krenar për 6 titujt e mi në Premier Ligë. Nuk e prisja që ‘Enfildi‘ të thoshte se do të shkarkohesha në mëngjes. Por është në rregull, ndodhi ajo që ndodhi. Kur fiton, qesh. Nga këtu do të fillojmë të ndërtojmë besimin tonë dhe fitoret. Dua të kthehet sërish ekipi, dua sërish lojtarët e mi. Do të bëjmë një rinisje nga këtu. Mund ta ndjej këtë”, ka deklaruar Pep Guardiola./Sport Ekspres/