Një përplasje mes Vllaznisë dhe Bashkisë Shkodër ka ndodhur në kohët e fundit, për shkak të një koncerti që do të mbahej nga Bujar Qamili. Një koncert që do të mbahej pikërisht në Loro Borici, në stadiumin i cili nuk do të ishte gati për ndeshjet e Europës. Megjithatë duket se Benet Beci është tërhequr duke anuluar koncertin, por klubi i Vllaznisë e ka dërguar ndeshjen e parë në Elbasan Arena pasi koha nuk priste. Nga ana tjetër Vllaznia e ka dërguar këtë cështje në UEFA pasi sipas Alban Xhaferit, në Bashkinë Shkodër kishte projektuar jo vetëm koncertin e Bujar Qamilit, por shumë koncerte të tjera pasardhëse që do të prishin fushën e Loro Boricit.
“KF Vllaznia falenderon Federatën Shqiptare të Futbollit për sqarimin e fundit zyrtar drejtuar Bashkisë Shkodër, ku kërkohet qartësisht anullimi i koncertit të planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi”, për të garantuar standardet dhe organizimin korrekt të ndeshjeve ndërkombëtare.
Njëkohësisht, çështja është adresuar edhe në selinë e UEFA-s në Nyon, ku përfaqësues të klubit kanë ngritur shqetësimin mbi situatën. Zyrtarë të UEFA-s kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kundër zhvillimit të aktiviteteve të tilla përpara ndeshjeve europiane, për shkak të rrezikut që i kanoset fushës dhe kushteve teknike te komplet impjantit sportiv.
Përshëndesim vendimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, për të anulluar koncertin dhe ritheksojmë se kjo çështje nuk ka qenë kurrë personale apo politike, por thjesht dhe vetëm profesionale – në përputhje me rregullat e UEFA-s, FSHF-së dhe interesin e klubit si përdoruesi zyrtar i stadiumit dhe organizues i ndeshjeve.
Duke marrë parasysh afatet dhe protokollet ndërkombëtare, KF Vllaznia ka dorëzuar dje dokumentacionin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes europiane në “Elbasan Arena”.
Ftojmë të gjithë tifozët kuqeblu që, si gjithmonë, të jenë pranë skuadrës edhe në Elbasan, me të njëjtin pasion dhe mbështetje të zjarrtë. Së bashku për Vllazninë, në këtë rrugëtim europian!
Le te kalojmë bashkë këtë tur dhe të rikthehemi në shtëpinë tonë për ndeshjet e ardhshme nderkombëtare dhe kombëtare, siç i ka hije Vllaznisë”, shkruan klubi i Vllaznisë. /Sport Ekspres/