Vllaznia ka marrë tre pikët mbrëmjen e sotme. Përballja ka përfunduar me shifrat minimale 1-0. Ndeshja u vendos në minutën e 13, kur Bekim Balaj shënoi golin e vetëm. Një sfidë që pritej të ishte e zjarrtë, për shkak të deklaratave të trajnerëve përpara ndeshjes. Tashmë shkodranët shkojnë në kuotën e 23 pikëve në krye të tabelës, 3 më tepër se Elbasani i vendit të dytë. Sakaq, Dinamoja mbetet në vendin e 4-t, me 18 pikë të grumbulluara gjithsej në 11 javë kampionat. Më poshtë ndiqni deklaratat e trajnerëve pas ndeshjes për mikrofonin e emisionit “Super Gol” në “RTSH”.
Martini (Vllaznia): “Kur luan kundër Dinamos, sot Durrës City, nuk është njësoj si të luash me Dinamon e Tiranës. Është më e fortë kjo Dinamo e Durrës City-t. Vjet s’kam qenë pjesë e Vllaznisë, por kemi dalë në vend të dytë, ata kanë dalë në vend të tretë. Kështu që ka momente kur njerëzit nuk dinë çfarë thonë. Është dashuria më e madhe që kam për këtë fanellë, kjo ka qenë deklarata ime. Lodhja ka bërë të vetën. E di, kam qenë i vetëdijshëm që gjendja s’ka qenë e mirë. Kemi luajtur të gjitha ndeshjet me këta lojtarë. Dëshira për të fituar ndeshjen, gjendja fizike, e kthyen ekipin mbrapa. Dinamoja luajti më mirë, ne morëm pikët, ashtu siç ndodhi në fazën e parë. I kam kërkuar lojtarëve para ndeshjes përqendrim maksimal në 20 minutëshin e parë për të shënuar. E dija si do të shkonte kjo lojë. Por sot kemi kallëzuar se përpos lojës së bukur, dimë të fitojmë edhe me lojë të keqe”.
Daja (Dinamo): “Pse kaq shumë tension? Si duket, nga rivaliteti. Vitin e fundit kemi qenë superiorë ndaj Vllaznisë dhe Vllaznia ka kënaqësinë kur luan me Dinamon, se mëson si luhet futbolli. Ka qenë një nga ekipet më të mira historike të Shqipërisë dhe ka luajtur futboll të mirë gjithë kohës. Është kënaqësi tani të luash në fushat e futbollit, jo në tribuna aq shumë. Gjithsesi, kur ka rivalitet, ka edhe gjëra të bukura. Në fund fare ne bëmë një 75 minutësh në gjysmëfushën e Vllaznisë, përveç rastit të golit me devijim. Nuk e di sa shumë patëm raste përballë me portierin. Ajo që na ka munguar në këtë ndeshje ka qenë finalizimi. Pavarësisht se mbroheshin me bllok shumë të ulët, kemi pasur shumë raste. Besoj se kemi qenë shumë më lartë. Edhe futbollistëve u thashë: ‘Ju meritoni gjithçka të mirë që keni bërë’. Rritën mentalitetin e fituesit, sepse nuk dorëzoheshin asnjëherë. Ta mbash Vllazninë në 75 minuta në gjysmëfushën e vetë është një mrekulli. Ta mbash dhe të kesh edhe shumë raste për të shënuar”./Sport Ekspres/