Thomas Brdaric ka marrë fitoren e parë të madhe te Vllaznia pas mbërritjes së tij te shkodranët. Këta të fundit kanë fituar me shifrat 0-1 kundër ekipit të sezonit në Superiore, Egnatias. Për këtë arsye kjo fitore shijon me aromë titulli. Në minutën e 11 të takimit, Xhemajli do të ndëshkohej me karton të verdhë pas faullit që i shkaktoi Krymit, ku i shkeli këmbën mesfushorit shkodran.
Cjapi u thirr nga VAR dhe ndëshkoi mbrojtësin vendas me karton të kuq. Në minutën e 38 të takimit do të vinte goli i Vllaznisë, teksa pas krosimit të Smajlit, topi do të devijohej dhe u dërgua në rrjetën e Alen Sherrit. Kështu do të mbyllej fati i këtij takimi, me Vllazninë që kthehet te fitorja që i mungonte prej 7 ndeshjeve. Nga krahu tjetër Teuta ka mundur Kukësin me shifrat 2-0, falë golave të Dacit në të 45 dhe të Bocit në të 89. Me këtë rezultat, Kukësi është zyrtarizuar në Kategorinë e Parë, teksa vetëm pak ditë më parë u zyrtarizua në finalen e Kupës së Shqipërisë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Tetova: “U ndëshkuam me karton të kuq shumë herët. Dua të përgëzojë djemtë për mënyrën sesi luajtën në pjesën e dytë. Vetëm në pjesën e parë u prishën ekuilibrat nga kartoni i kuq, se në të dytën luajtëm si të barabartë me kundërshtarin. Goli i Vllaznisë? Ishte një gol i lehtë, i evitueshëm, por futbolli është lojë gabimesh. Kartoni i kuq? Ishte një ndërhyrje me kavile të përthyer, nuk kishte intensitet 100%, por arbitrat e panë ashtu dhe i dhanë të kuq. Një ndërhyrje që nuk ka 100% intensitet nuk është karton i kuq”.
Devolli: “Mendjen dhe zemrën e kemi te 14 maj. Duhet të rikuperojmë pjesët sa më shpejt dhe mendjen e kam te 14 maj, te finalja e Kupës. Kemi edhe tre ndeshjet në Superiore të mbetura që ekipi do të bëhet gati për finalen. Ne të Kukësit e kemi si gjithmonë kundër fatin në rastin e VAR, por do të respektojmë vendimet. Në pjesën e dytë kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, i thashë lojtarëve që të luanin me topin, pavarësisht presingut të Teutës. Kemi eliminuar Tiranën dhe Partizanin, kam shumë besim se do ta fitojmë ne Kupën. Këta djemë do të japin jetën dhe zemrën në fushë”.
Brdaric: “Dua të falënderoj shumë klubin, dua të falënderoj edhe trajnerin Qatip Osmani për punën që ka bërë më para në ekip. Kjo është jeta në futboll, ndonjëherë të vret dhe ndonjëherë e gëzueshme. Ne duhet të jemi në Final Four, është objektiv. Hoqëm fatin e keq në këtë stadiumtë Egnatias, sot duhej të fitonim, nuk kishte rëndësi mënyra. Ekipi nuk ka shumë vetbesim, por edhe fizikisht nuk jemi në nivelin e lartë për shkak të rezultave të fundit. Ne duhet të luajmë kështu gjithmonë, si në minutat e para. E nisëm shumë mirë, Egnatia u ndëshkua me karton të kuq. Ishte faji i tyre, jo i joni. Duhet pak kohë që të futen idetë e mia në ekip. Qatip Osmani? Është një njeri i mirë, ka bërë punë të mirë me ekipin, një burrë i qetë dhe me shumë njohuri. E ndiej pak Qatip Osmanin pasi dhe unë u largova nga Vllaznia dy vite më parë”.