Policia e Shtetit dështoi me sukses sa i përket organizimit të ndeshjes dhe dhënies së sigurisë për qytetarët e saj në derbin Partizani-Tirana. Sa herë ka një organizim të tillë si në një ndeshje futbolli, është përgjegjësia e Policisë për të marrë masat dhe për të vendosur rendin. Por nuk ndodhi kështu këtë herë dhe në stadium pamë disa pamje të shëmtuara të përplasjes mes tifozëve. I ftuar në “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”, presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka shpërthyer me akuza dhe ka gjetur fajtorin që e bëri këtë derbi të transmetonte pamje të tilla.
“Nuk jam tip mediatik, por sot duhet të dilja me patjetër. Nuk kishte rëndësi rezultati në derbi, doli një barazim i bukur, akoma më mirë. Nuk e kuptova dot se ka 5 ditë që gjithë klubi i Partizanit kanë pasur kontakte me policinë, por ata nuk kuptoheshin asnjëherë. Sidomos një Idriz, nuk e di ca funksioni ka dhe emrin, por ishte njeriu kryesor për mbarëvajtjen e rregullit në qytetin e Tiranës, nuk pyeti fare se çfarë po ndodhte.
Deri në orën 11:30, nuk kishte asnjë fugon policie. Situata në derbi mund të kishte përshkallëzuar edhe më keq, por fati dhe stafet tona me zbutjet tona, ulën tensionin. Por ky Idrizi nuk e di se pse duhet të jetë në policinë e shtetit. Tirana kërkoi me të drejtë një fugon policie për të shoqëruar lojtarët e tyre për arsye sigurie, por Idrizi kthente përgjigje si rrugaç ndaj Partizanit dhe Federatës. Politika duhet të veprojë, nuk mund të vazhdohet kështu. Dhe e dini të fortën? Ai donte të merrte të pandehur një person nga Federata dhe një nga Partizani, që ishin njerëzit më impenjativ për ta zhvilluar këtë ndeshje në paqe.
Stadiumi i Partizanit e ka marrë lincencimin nga UEFA, nga FSHF. Nuk ishte fare faji ynë, por i gjithi atij personit që unë iu thashë dhe nuk e di se çfarë kërkon Policia me drejtues të tillë. Situata do të kishte shkuar shumë shumë më keq se kaq të jeni të sigurt. Sigurisht që edhe unë kam humbur shumë financa, do ta doja derbin në Air Albania, por ashtu po bëhen disa rregullime aty dhe FSHF nuk ka faj. Nuk di se çfarë të them më. Njëherë kam folur me Idrizin në telefon, u mek fare aty dhe nuk e di se çfarë po thoshte, nuk jam marrë më me të”, tha Gaz Demi. /Sport Ekspres/