“Nuk ka asnjë diferencë me Europën”, Jasir Asani tregon nivelin e futbollit në Kore: I vështirë të përballohet fizikisht

Jasir Asani ishte i ftuari i radhës në podkastin e Skënder Gegës. Në një bashkëbisedim me ish-trajnerin e tij te Partizani, lojtari i Kombëtares shqiptare ka treguar për nivelin e futbollit që ka gjetur në Korenë e Jugut. Asani është shprehur se niveli i futbollit korean nuk ka diferencë me atë europian, ndërsa thekson se është shumë i vështirë për t’u përballuar fizikisht.

“Atje të gjitha klubet janë shumë të mira. Çdo klub i ka kushtet maksimale. Futbolli është shumë i fortë fizikisht. Është një kampionat ku çunat e rinj e kanë shumë të lehtë të ikin në Angli, Gjermani, Itali. Nuk ka asnjë farë diference nga Europa. Ne të Europës nuk i shohim shumë ligat e tyre. Por në Kore është shumë e vështirë për të luajtur. Është shumë e vështirë për t’u përballuar fizikisht. Edhe kur shkon topi jashtë nuk shkojnë ta marrin ngadalë. Fillojnë menjëherë lojën, sepse nuk duan t’i humbin ato 3-4 sekonda”, ka thënë Jasir Asani./Sport Ekspres/