“Nuk ka vend për zhgënjim, kemi një ëndërr për të bërë realitet”, zv. trajneri i Interit: Duam Champions-in, kemi sfiduar më të mirët e Europës

Interit nuk i ka mjaftuar fitorja e sotme kundër Komos. Titulli kampion ka shkuar në duart e lojtarëve të Napolit. Megjithatë, zëvendës trajneri Farris nuk sheh vend për zhgënjim. Ai ka deklaruar përpara mediave se këtë javë zikaltrit do të jetojnë një ëndërr, atë të Ligës së Kampionëve. Farrisi ka theksuar se objektivi i tyre është që ëndrrën ta kthejnë në realitet, duke shprehur dëshirën e fortë për të fituar trofeun më të lakmuar për klube në Europë.

“Duam ta bëjmë realitet këtë ëndërr. PSG-ja është një kundërshtar shumë i fortë, por ne jemi përballur me kundërshtarë të tjerë shumë të fortë. Por ëndrra është ta ngrejmë trofeun. Si do ta parandalojmë infektimin e finales nga zhgënjimi? E kemi kaluar njëherë këtë. E dimë tashmë se çfarë do të thotë kjo javë. Jemi përballur me Sitin, Arsenalin, Leverkusenin, Bajernin, Barcelonën. I kemi sfiduar të gjitë klubet më të mira europiane. Nuk ka vend për zhgënjim, nga tani e tutje shkojmë për ta jetuar këtë ëndërr. Duam ta ngrejmë kupën”, ka deklaruar Masimiliano Farrisi./Sport Ekspres/