Manuel Nojeri është paraqitur sot në konferencë për shtyp në prag të sfidës së dytë gjysmëfinale kundër Realit të Madridit. Portieri i Bajernit të Mynihut është shprehur se është i përgatitur për çdo skenar në këtë përballje, edhe për gjuajtjen e 11 metërshave. Nojeri ka thënë se të luajturit në “Santiago Bernabeu” është një ëndërr për çdo futbollist, por e bën të qartë se Bajerni nuk do të hyjë me frikë në stadium.
“Është një gjysmëfinale dhe sigurisht që portierët përgatiten për gjithçka. Edhe ekipi gjithashtu. Jemi përgatitur që mund të ketë penallti pas 120 minutave. Por nuk hyjmë në fushë me këtë ide. Stadiumi më duket imponues. Më kujtohet “Bernabeu” i mëparshëm. Ka diçka të veçantë, diçka historike. Besoj se nuk ka stadium tjetër në botë apo në Europë për një lojtar dhe jemi të lumtur që do të luajmë këtu.
Sigurisht që sot do ta shohim ndeshjen (PSG-Borusia Dortmund). Nuk kemi ardhur me frikë. Kemi besim te vetja jonë. E dimë çfarë ndeshjeje bëmë javën e parë dhe e njohim çfarë kundërshtari kemi. Të gjithë lojtarët kemi pasur një ëndërr dhe kemi qenë të influencuar nga Reali i Madridit, nga ky stadium. Por të gjithë jemi të vetëdijshëm për mundësinë që kemi për të shkuar në finale për të fituar titullin e Ligës së Kampionëve, që është titulli më i lartë që mund të fitosh në klub.”, ka deklaruar Manuel Nojeri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/