Nuk mbahet mend hera e fundit që ndodhte, Ilir Daja dhe presioni me 4 lojtarë në Europë

Shumë herë kanë thënë se Ilir Daja duhet të marrë një ditë Kombëtaren Shqiptare, ndërkohë vit pas viti, ky trajner, vërteton se është një ndër trajnerët e pakët që kemi që ka sukses në tregun europian, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë.

Më parë me Skënderbeun, më pas me Ballkanin dhe tani me Dinamon, duket se magjia e Dajës është shumë e vështirë që të iki. Dinamo e kaloi turin e parë në Conference League me fat për shkak të një dënimi që mori një skuadër europiane, duke shkuar në turin e dytë të Conference League pa luajtur asnjë ndeshje.

Në turin e dytë, sot Dinamo luajti kundër Atletic Escaldes dhe fitoi në shifrat 1-2. Në fakt, Atletic Escaldes vjen nga Andorra dhe mund të duket tërësisht modeste, por kjo skuadër mundi dy herë Dudelange në turin e parë të Conference League, që ka një histori më të pasur se ekipet shqiptare në Europë. Dhe Dinamo nuk fitoi me vështirësi, por e ktheu ndeshje në stërvitje duke u tallur dhe humbur shumë raste të pastra, pasi nëse ato do të shfrytëzoheshin me seriozitet, ndeshja duhej të dilte të paktën 1-5.

Pjesa e parë foli e gjitha për Dinamon që ishte instaluar në portën e Escaldes, por pa mundur dot që ta rrezikojë shumë portën, vetëm një rast i pastër me topin që shkoi ngjitur me shtyllën. Escaldes nuk e kishte goditur asnjëherë portën e Dinamos derisa erdhi minuta e 38 dhe me një goditje këndi, topi shkoi në rrjetë. Në pjesën e dytë, Dinamo e shkeli tërësisht Escaldes duke shënuar dy herë me Zabërgjan dhe Qardakun, por njëkohësisht duke humbur edhe 4-5 raste të tjera të pastra ku topi thjesht duhej të shtyhej në rrjetë.

Nuk mbahet mend se kur është hera e fundit që një ekip i Shqipërisë të performojë në një nivel të tillë kaq të lartë në transfertë në ndeshjet e Europës, duke luajtur vetëm me një portë, pavarësisht nivelit të kundërshtarit. Madje shpesh ndodh që ekipet që ne i quajmë amatore, të fitojnë thellë ndaj kampionëve të Superiores. Ilir Daja jep leksione të pastra futbolli, ndërsa në të gjitha momentet kur Escaldes niste topin, trajneri i Dinamos zgjidhte që të bënte presion me 4 lojtarë në vijën e parë të portës së kundërshtarin.

Kështu ekipi i Andorrës u asfiksua i gjithi duke mos e pritur një mënyrë të tillë loje nga skuadra shqiptare, duke mos arritur dot që të ndërtojë qoftë edhe një aksion model përgjatë 90 minutave. Duket qartë se edhe këtë herë, Ilir Daja do të kërkojë që të futet në grupet e Conference League, por këtë herë me Dinamon. /Sport Ekspres/