Ernest Muçi është kthyer në një temë të madhe diskutimi në Turqi. Shifra e madhe për të cilën erdhi shqiptari te Beshiktashi dhe performancat jo në pritshmëri, janë ato që po diskutohen më së shumti, madje disa media në Turqi e kanë quajtur lojtarin tonë si një prej arsyeve kryesore se përse Beshiktashi duhej të shkonte me patjetër në zgjedhjet sa i përket ndryshimit të presidentit të klubit.
Gazetari sportiv në Turqi, Mehmeti Demirkol, ka shkuar edhe një hap më tej duke lënë një gjysmë akuze në ajër sa i përket transferimit të Muçit. “Janë disa persona nga brenda klubit që po flasin për presidentin Hasan Arat dhe po thonë shumë gjëra të çuditshme për të. Nëse aty ka korrupsion, si do të ndëshkohet? A ekziston korrupsioni aty? Nëse unë do të them tani që transferimi i Ernest Muçit ishte një korrupsion, të gjithë do të ngriheshin në këmbë. Klubi i Beshiktash do të dilte me deklaratë zyrtare. Por ata që janë brenda po flasin dhe ne duhet ta ndjekim këtë rast. Hasan Arat duhet të dalë zyrtarisht dhe të thotë: “Si mund të flisni këto gjëra për mua?”, u shpreh gazetari turk. /Sport Ekspres/