Jose Mourinho do të përballet mbrëmjen e nesërme me ish-ekipin e tij, Realin e Madridit. I pyetur në lidhje me ndërrimet e trajnerëve në kampin e “los blancos”, kreu i pankinës së Benfica-s ka folur me superlativa si për Arbeloan, ashtu edhe për Xabi-n. Mourinho është shprehur se nuk i intereson se çfarë i ndodhi Xabi-t te Reali, pasi është i sigurt që karriera e tij do të shkojë në një mënyrë shumë të mirë për të. Kjo për faktin se ka besim te aftësitë e tij si trajner.
“Xabi është një tjetër nga djemtë e mi. Kam vetëm kujtime pozitive nga ai. Isha i emociuonuar që të luaja kundër Xabi-t dhe nesër do të jem i emocionuar të luaj kundër Alvaros. Ajo që ai bëri te Leverkuseni ishte një gëzim i madh. Çfarë ndodhi te Reali i Madridit nuk më intereson. Asgjë nuk më befason më në futboll. Jam i sigurt se karriera e tij do të shkojë në një drejtim tjetër dhe ai do të jetë shumë i lumtur. Është një trajner i shkëlqyer”, ka deklaruar Jose Mourinho./Sport Ekspres/