“Nuk mund të flitet fare për pastrim parash”, Stefa për Uzunin: Problematike do të ishte po të mos investonte, ka një pasuri prej 8 milionë eurosh

Investimi më i fundit i Myrto Uzunit është kthyer në temë diskutimi. Në media kanë nisur të qarkullojnë zëra për pastrim parash. Por një teori e tillë është hedhur poshtë nga Gjergji Stefa. Gazetari në fjalë është pjesë e panelit të emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN Albania”, ku ka shpjeguar më detajisht këtë çështje. Stefa është shprehur se Uzuni ka një pagë të deklaruar prej 1.8 milionë dollarësh, e cila mund të shkojë deri në 2.5 milionë dollarësh. Thënë këtë, investimi prej 3.2 milionë eurosh në Palasë është krejtësisht i justifikuar.

“Në dijeninë time, duke qenë se jam edhe te sektori i Real Estate-it, Uzuni ka prenotuar një ndërtesë në Palasë, në një vend që është midis Green Coast-it dhe Drimadhesit. Aty po ndërtohet një rezidencë e madhe, që quhet Sun Palace. Vetë Uzuni aty ka prenotuar 1000 metra katrorë ndërtim, të cilën më pas, sipas dëshirës së tij, do ta shndërrojë në hotel. Një investim që në përfundim të tij do të ketë një vlerë afro 3.2 milionë euro.

E them përherë që një nga blerësit potencial më të mirë për investime të tilla janë pikërisht lojtarët e Kombëtares, sepse kanë një potencial të lartë financiar. Uzuni ka një rrogë të deklaruar 1.8 milionë dollarë të deklaruara dhe mund të shkojë deri në 2.5 milionë euro. Kur mendon që në fund investimi i Uzunit do të ketë vlerën e 3.2 milionë eurove… është një investim shumë normal në kushtet e Uzunit. Përveç faktit që supozohet se investimi do të bëhet me këste, sepse askush nuk bën një investim 100% me pagesë direktë.

Më pëlqeu edhe deklarata e Uzunit, që tha: ‘Për mua është shumë e rëndësishme që paratë e mia t’i investoj në vendin tim’. Sepse në fund të ditës investimet janë zhvillim, zhvillimet prodhojnë para, paratë prodhojnë ciklin ekonomik. Besoj, sepse nuk jam ekspert i krimit ekonomik, që për llogjikën e pastrimit të parave nuk mund të flitet fare. Kemi të bëjmë me një ndërtim të miratuar dhe të licensuar nga Këshilli Kombëtar i Territoreve dhe kemi të bëjmë me një ndërtim që po blihet nga një klient që i ka të gjitha paratë në bankë të deklaruara.

Uzuni ka që në vitin 2016 që luan në nivele të larta. Ka pasur një turnover të deklaruar në këto 10 vite prej 8 milionë eurosh neto. Mua më duket shumë normale që një pjesë të mirë të kësaj pasurie do që ta investojë. Nëse do të ishte e kundërta, pra nëse do të kishim një lojtar të niveleve të larta, i cili nuk do të investonte paratë e tij, do të ishim duke folur për një rast problematik dhe jo për një rast suksesi. Ky është një rast suksesi”, ka thënë Gjergji Stefa./Sport Ekspres/