Sokol Kushta ishte i ftuar në emisionin “Max Sport” që transmetohet në “EuroNews Albania”. Legjenda e futbollit shqiptar dha mendimin sa i përket ndeshjeve të Kombëtares në muajin mars, teksa u ndal më shumë te humbja e kuqezinjëve kundër Anglisë.
“Anglia me ekipe si Shqipëria, zakonisht e mbyll ndeshjen që në pjesën e parë sic e mbyllën në kohën e Rejës te Kombëtarja, 5-0 dhe iu dha fund historisë aty. Shqipëria e nisi lojën si e kisha parashikuar unë, e kisha thënë edhe para ndeshjes. Ajo që mua nuk më pëlqeu pastaj ishte deklarata e Silvinjos, ishte i gëzuar që nuk hëngrëm shumë gola.
Pra nëse ti thua jam i lumtur se hëngrëm pak gola, cfarë të presim nga lojtarët? Ata janë gëzuar se e u mundën 2-0, unë u hidhërova se nuk ishim dinjitoz, mund të jetë ndeshja më e dobët e Kombëtares. Është mëkat të mos bësh dy pasime. Pjesa e parë ishte 87 me 13 mbajtje topit, është skandal. Ne ishim më keq se autobuzi. Ne nuk u mbrojtëm me Anglinë, ne prishëm lojën e Anglisë, këtë bëmë. Ka ekipe që mbrohen, e kanë strategji dhe më pas kundërsulmojnë, ndërsa ne vetëm prishëm lojën e Anglisë”, tha Kushta. /Sport Ekspres/