“Objektiv i realizuar”, Presidenti Duka inspekton FSHF TV: Pasqyrojmë & promovojmë futbollin shqiptar

FSHF TV po hyn në një fazë të re zhvillimi, duke u bërë kanali televiziv më i afërt me i tifozëve me futbollin shqiptar. Përmes aplikacionit “Klan im”, tashmë mund të ndiqen ndeshje live dhe arkiva me momente historike dhe që sjellin më pranë emocionet e fushës.

Studioja moderne e FSHF TV është drejt përfundimit dhe së shpejti do të vihen në ekran programe të reja dhe emisione sportive, të dedikuara jo vetëm futbollit profesionist, por edhe atij amator.

Presidenti i Federatës, Armand Duka inspektoi sot studion e re televizive. Në një prononcim për fshf.org, Presidenti Duka tha se qëllimi i televizionit është për të pasqyruar aktivitetet e Federatës dhe për të promovuar futbollin shqiptar.

“Jam shumë i gëzuar që ne më në fund realizuam një nga objektivat tonë. Nuk është një gjë që erdhi rastësisht, për të bërë një kanal televiziv, por ishte një nga objektivat për të plotësuar pasqyrimin e aktiviteteve.

Jo thjesht për të pasqyruar apo për t’i dhënë njerëzve një produkt më shumë, por për të promovuar më shumë futbollin dhe ato gjëra që nuk mund të transmetohen në kanalet e tjera, ne mund t’i transmetojmë në kanalin tonë.

Kryesisht futbollin amator, futbollin e vajzave dhe pse jo, të gjithë arkivën e Federatës Shqiptare të Futbollit apo për të dhënë shembujt më të mirë, të fushës së lojës, administrimit të futbollit dhe gjithçka tjetër që ne duam të promovojmë për të realizuar objektivin tonë final që është sa më shumë fëmijë, vajza dhe djem në futboll.

Jam shumë i bindur që ky kanal televiziv, aq më shumë edhe me drejtuesit që ne kemi përzgjedhur për ta drejtuar atë, me Egi Duron apo edhe me të tjerë që do bashkëpunojnë me të, do të jenë një armë e fuqishme për promovimin e futbollit dhe për rritjen e numrit të futbollistëve në Shqipëri”, – tha Presidenti Duka në prononcimin e tij për fshf.org.