Olimpiakosi dhe Panathianikosi djegin Thomas Strakoshën! Trajneri nuk e mban dot më presionin e presidentit, shqiptari ulet në stol

Thomas Strakosha përfundoi ëndrrën e tij në Premier League, por që nuk shkoi sipas imagjinatës. Që në kohën kur ishte te Lacio dhe luante në Serinë A, portieri shqiptar shprehej se dëshira e tij më e madhe ishte të luante në kampionatin më të fortë në botë, në Premier League. Ai shkoi te Brentfordi, por i pa të gjitha ndeshjet nga stoli.

Më pas Strakosha u largua nga Angli dhe shkoi në Greqi, te AEK, për të marrë sa më shumë minuta dhe për të qenë sërish në vëmendjen e Kombëtares. Por edhe në Greqi aventura nuk po shkon ashtu si pritej teksa vendi i tij është vendosur në rrezik nga Brignoli.

AEK po lufton për titullin kampion me Olimpiakos, por këta të fundit kanë pesë pikë më shumë. Strakosha ka bërë një gabim të madh në ndeshjen e humbur me Panathinaikosin që ndodhet në vendin e tretë, teksa penalltia e shkaktuar prej tij vendosi humbjen 1-0.

Presidenti i AEK u shpreh se Strakosha bëri një budallallëk të madh dhe se nuk e kuptonte dot sjelljen e tij. Trajneri vendosi t’i besonte sërish, por në Kupën e Greqisë, Strakosha pësoi 6 gola në humbjen 6-0 nga Olimpiakosi.

Pavarësisht se asnjë prej golave nuk ishte për faj të tij, 6 gola të pësuar janë shumë. Kështu trajneri i AEK në ndeshjen e radhës që kishte me Olimpiakosin, por këtë herë për kampionat, i besoi Brignolit. Në fund AEK humbi me shifrat 0-1, me një rezultat më të ngushtë dhe duket se Strakosha do të qëndrojë në stol për një kohë të gjatë. /Sport Ekspres/