Opinion nga Klaudio Ndreca
Nëse i hedhim një sy renditjes së Superiores, shumëkush komenton rënien e Tiranës, si ajo që tërheq vëmendjen kryesore. Me të drejtë, por nuk duhet harruar se edhe pozicioni i Laçit të bën po aq shumë habi, çudi. Të gjithëve na kujtohet koha kur të gjitha ekipet e Superiores eliminoheshin njëra pas tjetrës në Europë dhe i vetmi ekip që ishte “flamuri” dhe nderi i kampionatit tonë, për të shkuar qoftë edhe një apo dy ture më shumë, ishte Laçi dhe kryesisht me Shpëtim Duron.
Madje kurbinasit me Duron në sezonin 2021-2022 shkuan në Belgjikë për të luajtur kundër Anderleht të Vincent Kompany, që sot drejton Bayern Munchen dhe humbën 2-1, duke shkaktuar telashe për vendasit dhe treguar dinjitet për Shqipërinë. E për të dalë nga Laçi dhe për të folur në tërësi për futbollin shqiptar dhe temën e shumë diskutuar sa i përket mënyrës sesi stadiumet tona mund të kenë më shumë tifozë, ky nuk është vetëm një problem i “Final Four” apo “Final Five”.
Disa të tjerë thonë se ekipet duhet të marrin edhe këngëtarë për të tërhequr audiencë, por me siguri që askush prej jush (lexuesë, tifozë) nuk do të ikte në stadium për të dëgjuar një “Play Back” të një këngëtari për 10 minuta, nuk është stadiumi vendi për të shijuar muzikën, në stadium shkon vetëm për të shijuar futbollin. Qoftë ky edhe i famshmi GJESTI!
Atëherë, si mund të zgjidhet e gjitha kjo? Problemi i parë nis nga klubet, ndodh shpesh që ekipe që sapo janë ngjitur në Superiore dhe kanë shkëlqyer në Kategorinë e Parë, siç ka bërë Vora përshembull, kur ngjiten në elitë shkarkojnë një ekip të tërë dhe marrin lojtarë të tjerë që sipas tyre janë më të aftë për nivele të larta.
Një ekip i gjithi i ndërruar që jo vetëm nuk mund të jap kurrë rezultate, por njëkohësisht heq lidhjen e tifozëve me ekipin, nuk janë më lojtarët që ata kanë gëzuar në stadium me ta kur kanë shënuar gola, qoftë edhe në Kategorinë e Parë. Imagjinoni për një moment sikur Kombëtarja Shqiptare pas një edicioni, të hiqte Kristjan Asllani, Armando Brojën, Berat Gjimshitin, Jasir Asani dhe të merrte qoftë edhe emra si Brajan Gruda, Nelson Ëeiper dhe Roco Vata. Sado kemi folur shumë për këta emra, tifozët do të largoheshin nga stadiumi sepse nuk mund të heqësh 11 emra që të kanë lumturuar për kaq shumë gjatë dhe të vijnë 11 të tjerë, ku tifozi nuk di asgjë rreth tyre dhe i sheh papritur në ekipin e tij të zemrës. Qoftë edhe mësimi i emrave të lojtarëve kërkon të paktën 1 muaj kohë, imagjinoni pak për integrimin dhe funksionimin e plot të tyre në skuadër.
Dhe arsyeja e dytë dhe po aq e rëndësishme, është trajneri. Në Shqipëri “trajnerët” shesin pak për të mos thënë fare, mediatikisht 0 (ndeshja e radhës). Ardhja e Skënder Gegës dhe Ilir Dajës, padyshim që i ka dhënë një shije tjetër Superiores, pak më të mirë. Sepse një përballje Partizani i Skënder Gegës kundër Dinamos së Ilir Dajës tërheq më shumë sesa Partizani i Veselinovic kundër Dinamos së Rodolfo Vanolit. Kjo përballje nuk thotë asgjë për mediat, nuk thotë asgjë për tifozët.
Ndërsa e para po, është edhe një përballje direkte Gega-Daja, shfaq më shumë interes mediatik, më shumë komente para dhe pas ndeshje dhe njëkohësisht, më shumë interes tek tifozët për të ardhur në stadium qoftë edhe për t’i treguar kundërshtarëve që trajneri i tyre është më i mirë, se lojtari i tyre është më i mirë se ai që kanë ata në skuadër.
E parë në këtë prizëm, “Shpëtimi” i futbollit shqiptar është edhe Shpëtim Duro. Rezultatet kanë folur qartë për të, Laçin e la nënkampion dhe finalist të Kupës, skuadra me koeficientin më të mirë në UEFA nga ekipet shqiptare. Struga doli kampion për dy vite dhe në Play Off të Conference League me Duron, ndërsa këtë sezon përshembull mban vendin e pestë në kampionat dhe u eliminua që në turin e parë në Europë. Gjithashtu Duro ishte edhe te Suhareka, e la me tre pikë distancë nga vendi i parë dhe tani mban vendin e parafundit, duke rënë nga elita e futbollit në Kosovë.
Pra rezultatet flasin qartë në favor të tij dhe qartë se çfarë ndodh pas largimit të tij, por ne nuk do të ngelemi vetëm këtu pasi janë të tjerë specialistë ata që duhet të vendosin sesa i aftë është një trajner apo një tjetër, megjithëse here pas here edhe ne si media duhet “t’i fusim” hundët në punë të tilla pasi shohim që nuk po vlerësohen trajnerët e vërtetë, por merren “të panjohurit” e botës mbarë që vijnë në Shqipëri për të treguar kartën e tyre të identitetit, se kanë lindur jashtë Shqipërisë. Jo gjithmonë produkti i huaj është më i mirë, sidomos produktet e huaja që vijnë në Shqipëri, jo pa arsye vijnë te ne. Ato të ushqimeve, po rezultojnë edhe kancerogjene.
Shpëtim Duro është njeriu që “ringjall karriera të vdekura”, ka nuhatjen e madhe që është e formuar me kohën ose ndoshta edhe e lindur, që nuk merret dot as me 1 vite dhe as me 5 vite. Siç ndodhi me Mazrekajn ku i dha një jetë të dytë sportive apo siç e ka treguar veten edhe në Europë. Nëse në Shqipëri ka shumë histori se kush i la ndeshjen kujt, në Shqipërinë tonë që paragjykimet shkojnë deri aty sa të hamendësojnë edhe sesi Barcelona e shiti ndeshjen me Real Madridin, dalja në Europë dhe rezultatet atje janë treguesi më i mirë sesa i vlen lëkura një trajneri. Dhe Shpëtim Duro ka treguar se “lëkura” e tij vlen shumë në Europë.
Dhe duke dalë nga rezulatet edhe karizma e trajnerit është shumë e rëndësishme për të shitur, edhe mediatikisht, kjo sjellë edhe më shumë tifozë në stadiume. Qoftë edhe ulja në gjunjë që Duro bën shpesh për të analizuar më mirë ndeshjen, krijon një fare skenë interesante dhe tërheqëse që përbën atë që quhet karizma e një trajneri.
Mourinho ndoshta ka disa vite që nuk i ka më rezultatet në favor të tij, por në saj të karizmës që ka, ekipet e tij përfitojnë shumë financiarisht dhe emri i portugezit është ndër më të shiturit nga gjithë trajnerët në botë. Dhe kur bashkohet më pas karizma dhe rezultati, është një mrekulli më vete.
Dhe për ta mbyllur, është po njësoj sikur në një emision sportiv, të largohen të gjithë figurat e vjetra dhe të futen të gjithë të rinjtë, nuk do të kishte të njëjtën peshë dhe shitje nga më parë. Cdo gjë e ka një cikël, por duhet të vijë gradualisht duke mbajtur figura që shesin edhe me qëndrimin e tyre, edhe duke u ulur në gjunjë. Ndërkohë që gradualisht duhet të vijë hapësira vetëm për pak të rinjë të cilët janë shumë të përgatitur dhe të spikatur dhe dallojnë nga bashkëmoshatarët e tyre, kjo është mënyra sesi duhet të funksionojnë një klub, një media dhe gjithçka tjetër për të ecur në rrugën e drejtë.
Por nëse heqim 11 lojtarë nga një skuadër dhe marrim 11 të tjerë, nëse heqim emrat e njohur të trajnerëve shqiptarë dhe marrim disa të huaj të panjohur vetëm se nuk janë shqiptarë, atëherë edhe sikur “Final Four” të hiqet dhe të futen 16 ekipe në Superiore, tifozët nuk kanë më asnjë lidhje me klubin e tyre të zemrës, nuk identifikohen dot me stemën e atij klubi. Është shumë më shumë sesa rezultati, afrimi i emrave si Duro, Daja, Gega etj është një fitim për futbollin shqiptar dhe problemi duhet të zgjidhet nga këtu, megjithëse shumëkush i bie shkurt dhe kritikon Armand Dukën sesi futi “Final Four” dhe ndërkohë në skemën e mëparshme, po njësoj nuk shkonin ndonjëherë në stadium. Kritika është e lehtë, e bëjnë të gjithë, por zgjidhja cila ishte? /Sport Ekspres/