Vjen një moment dhe një kohë, që sado të mundohesh të fshehësh origjinën tënde, është gjithmonë edhe më e pamundur për ta bërë. Ky është edhe rasti i Brajan Grudës, lojtari i Brighton në Premier League, që gjithmonë e më shumë duket se po afrohet me Shqipërinë. Më parë, Gruda i mbylli të gjitha dyert Shqipërisë duke e bërë të qartë se ëndrra e tij e madhe është Gjermania. Trajneri i Gjermanisë e grumbulloi para Europianit, por Gruda më pas u dëmtua dhe kështu zeroi edhe ato pak shanse për të qenë pjesë e kësaj Kombëtare.
Më pas, nuk pati asnjë ftesë për të. Sinjalet erdhën nga Gruda që në kohët e fundit shpërndau një njoftim të Vllaznisë së Superiores tonë dhe më pas një fotografi të tijën, e shoqëroi me një këngë të Noizyt. Duket se këngët shqiptare që po dëgjon tani Brajan Gruda, kanë filluar që t’i bëjnë mirë për t’i kujtuar akoma më shumë fjalët në gjuhën shqipe dhe origjinën e tij.
Këtë e ka dëshmuar edhe në mbrëmjen e djeshme, atje ku Brighton luajti kundër Notingham Forest në Kupë. Ndeshja përfundoi në shifrat 0-0 dhe gjithçka u vendos në ruletën ruse. Brajan Gruda u aktivizua në minutën e 75 dhe mori përsipër penalltinë e dytë te Brighton, duke arritur të shënonte. Menjëherë pas këtij goli të shënuar, Gruda është shfryrë në gjuhën shqipe, duke sharë në gjuhën e origjinës së tij, me fjalët që ishin qartë të kuptueshme.
Një përshëndetje e tillë kundër Notingham Forest, pronarët e të cilit janë grekë dhe aksionet kryesore i ka Evangelos Marinakis. Dikur Gruda shprehej se idhujt e tij nuk ishin Lorik Cana dhe as Altin Rraklli, por Shvajshtanger dhe legjenda të tjerë gjermane. Megjithatë fakti se gjithmonë e më shumë Gruda po shfaq anën e tij të shqiptarit brenda vetes, merret si një sinjal pozitiv për të ardhmen. Gjithashtu vlen të theksohet se pak ditë më parë, babai i Nelson Ëeiper postoi një fotografi ku shfaqej djali i tij së bashku me Brajan Grudën me dy shqiponja, duke lënë të nënkuptuar pjesëmarrjen me Shqipërinë. Të dy këta lojtarë kanë luajtur me Mainzin më herët dhe po të dy, janë kërkuar me ngulm nga Shqipëria dhe trajneri Silvinjo. Nuk do të bëj habi fakti që pas disa kohësh, Nelson Ëeiper dhe Brajan Gruda të shfaqen në listën e Shqipërisë. /Sport Ekspres/