Jemi në javën e pestë të Superiores dhe Elbasani ndodhet në vendin e parë. Për këdo, e gjitha kjo duket si një “batutë” pasi mes emrash si Dinamo, Vllaznia dhe Egnatia, Elbasani ishte ekipi i fundit që mund të mendohej për të kryesuar. Pavarësisht vendit të parë, spekticizmi ekziston ende se kjo renditje është vetëm e përkohshme.
Por ja se përse Elbasani nuk është thjeshtë një batutë e momentit në Superiore. Në sezonin e shkuar, kjo skuadër i shkoi afër ngjitjes dhe kalimit në Europë, por u mund në javën e fundit nga Partizani i Skënder Gegës. Për të kapur suksesin kërkohet pak durim.
Dhe koha më e mirë është pikërisht tani, Elbasani ndodhet në vendin e parë me një pikë më shumë sesa Vllaznia dhe Egnatia. Por ndryshe nga Vllaznia dhe Egnatia, Elbasani nuk e ka marrë ende humbjen e parë në kampionat.
Të kalosh 5 javë pa humbje në një kampionat të tillë, ku 80% e ekipeve pretendojnë Final Four dhe për më tepër të kalosh pa humbje kundër pretendentve kryesorë si Dinamo, Egnatia dhe Partizani, është padyshim një arritje më vete. Por ajo që shijon edhe më shumë është fakti se Elbasani ka fituar edhe kundër Partizanit që në sezonin e shkuar i mohoi Europën. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/