“Pamë përreth dhe ishte shumë e çuditshme, 5-0 në minutën e 28”, Myleri kujton turpërimin e Brazilit: Në fund po bënin tifozllëk për ne

Fitorja 7-1 e Gjermanisë kundër Brazilit në Kupën e Botës 2014 vazhdon të mbetet ende e freskët në mendjet e tifozëve. Në një intervistë për “Kickin’ it”, Tomas Myleri ka ndarë me sportdashësit ndjesitë nga kjo sfidë. Futbollisti gjerman deklaroi se goli i parë e shënuar prej tij solli këtë rebesh golash, pasi barazilianët po kërkonin me ngulm të ndryshonin rezultatin dhe harruan të mbronin. Myleri është shprehur se lojtarët e Gjermanisë po shihnin përreth kur shifrat shkuan në 5-0, duke përjetuar një ndjesi tejet të çuditshme.

“Të jem i sinqertë, ishte një ndjesi e çuditshme. Nëse e sheh nga fillimi, presioni ishte çmendurisht i lartë, sepse Brazili është një shtëpi e futbollit. Futbolli është një temë shumë e rëndësishme në Brazil. Përpara ndeshjes lojtarët po luteshin, pastaj u luajt himni kombëtar dhe i gjithë stadiumi po këndonte. Ajo ndeshje dhe të arriturit në finale ishte shumë e rëndësishme për ta.

Shënova golin e parë dhe mendoj se ai ishte çelësi, sepse më pas brazilianët donin aq shumë ta zhbënin (disavantazhin), sa që harruan të mbronin. Pas 28 minutave ishte 5-0. Pamë përreth dhe ishte shumë e çuditshme, shumë e çuditshme. Në fund po bënin tifozllëk për ne në finale, sepse luajtëm kundër Argjentinës”, ka deklaruar Tomas Myleri./Sport Ekspres/