Legjionarët kuqezi vijojnë të paraqiten mirë me klubet e tyre, teksa edhe kjo fundjavë ishte pozitive, ku disa prej tyre ishin vendimtar.
Në kampionatin turk, Ernest Muçi u rikthye te goli. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare i cili tashmë është një titullar i padiskutueshëm me Besiktas, shënoi golin e parë të ndeshjes në fitoren 2-0 ndaj Ankaragucu. Një realizim mjaft i bukur, por jo vetëm kaq pasi Muçi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe në fund u shpall edhe lojtari i ndeshjes, me notën 8.4 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.
Këtë fundjavë çmimin si lojtari i ndeshjes e fitoi edhe Mirlind Daku. Sulmuesi kuqezi shkëlqeu në takimin e Rubin Kazan ndaj Lokomotiv Moscow që përfundoi në barazim 1-1. Daku në minutën e 21-të në një aksion personal bëri gjithçka mirë, teksa topin në rrjetë e dërgoi shoku i tij i skuadrës.
Vendimtar me një asist ishte edhe një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu. Mbrojtësi kuqezi dha kontributin e tij në triumfin me përmbysje 2-1 të Rayo Vallecano ndaj Osasuna. Goli i fitores u realizua në të 84-ën dhe Ivan Balliu shërbeu saktë për shokun e skuadrës, Isi Palazon.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Jon Mersinaj, Naser Aliji, Keidi Bare, Nedim Bajrami, Klaus Gjasula, Taulant Seferi, Arbnor Muçolli dhe Arbnor Muja, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Qazim Laçi, Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi dhe Arbër Hoxha.