Partizani ka marrë vendimin përfundimtar sa i përket çështjes së trajnerit. “Demat e kuq” janë duke u drejtuar nga drejtori sportiv i tyre, Arbër Abilaliaj, që pas largimit të Zoran Zekiçit. Por tashmë kryeqytetasit kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe atë do ta bëjnë me dije mesditën e nesërme.
Përmes faqes zytare në “Facebook”, kampionët në fuqi të “Abissnet Superiore” kanë njoftuar se ditën e nesërme do të bëhet edhe prezantimi i trajnerit të ri. Megjithatë, klubi ka vendosur të mos e zbulojë emrin e kreut të ri të pankinës.
“Nesër në orën 13:00 në ambientet e stadiumit ‘Arena e Demave’, klubi Partizani prezanton trajnerin e ri që do të drejtojë skuadrën. Ju mirëpresim”, ka shkruar klubi Partizani në njoftimin për mediat./Halit Delibashi-Sport Ekspres/