Pas Rei Manajt largohet edhe Nedim Bajrami nga Rangersi, nuk shihet as në stol 

Ndeshja me Serbinë po afron, por lojtarët e Shqipërisë nuk janë ende në 100% e tyre. Armando Broja nuk po merr më minuta te Evertoni si më parë dhe në dy ndeshjet e fundit, nuk është aktivizuar në asnjë moment nga Moyes. Në pritje të golit të parë, duket se sulmuesi shqiptar do të mbyll një tjetër sezon zhgënjyes mes dëmtimeve dhe mungesës së hapësirës. 

Rei Manaj po kalon gjithashtu një moment të vështirë. Në mediat turke ka qarkulluar lajmi se sezoni është mbyllur para kohe për shqiptarin, në momentin më vendimtar pas kritikave të trajnerit. Ky i fundit u shpreh se Manaj nuk po e jep më kontributin në ekip, ndërsa mediat turke theksuan se ka munguar për 5 ditë në stërvitje dhe është përjashtuar me vendim klubi në dy finalet e fundit të kampionatit, ku Sivaspori luan sezonin për mbijetesë. 

Megjithatë në orët e fundit klubi ka dalë me një deklaratë ku shprehet se Manaj ka një dëmtim, ndoshta për të shuar polemikat e mëdha në një moment që po luftohet për mbijetesën. E sigurt është se Manaj do të mungojë në ndeshjen e nesërme, të parafundit të kampionatit, ndërsa ka ende ndonjë shans për rikthimin e tij në ndeshjen e fundit të sezonit, në varësi të rezultateve të nesërme. 

Një situatë e ngjashme duket edhe ajo e Nedim  Bajramit te Rangersi. Ky i fundit e nisi sezonin në mënyrë spektakolare, por nuk pati vazhdimësi. Bajrami ka vuajtur për minuta dhe sot nuk gjendej as në stol. Trajneri u shpreh se Bajrami nuk ndihej shumë mirë dhe se nuk e mori pasi nuk mund të ketë në stol dhe të gatshëm lojtarët që nuk janë në 100% e tyre. Një tjetër sinjal se edhe Nedim Bajrami është me valixhe në dorë, por duke parë se këta tre lojtarë janë pjesë e rëndësishme e Shqipërisë, alarmi ngrihet para ndeshjes me Serbinë. /Sport Ekspres/