Laçi ka gjetur pak frymëmarrje në rezultate me ndërrimin e trajnerit. Te kurbinasit ka mbërritur Francesko Moreiro, që debutoi me fitore në shifrat 3-1 ndaj Vllaznisë. Shkodranët shënuan të parët falë një autogoli të pafat të Dajsinanit në minutën e 17. Por ndryshe nga më parë, Laci jo vetëm që është kundërpërgjigjur, por ka përmbysur ndeshjen.
Papa riktheu baraspeshën e ndeshjes në minutën e 44, për ta mbyllur pjesën e parë në 1-1. Gjithcka u vulos në dy minuta sa i përket fitores së Lacit. Fillimisht ishte Mjaki në minutën e 53 që gjeti rrjetën, ndërsa vetëm dy minuta më vonë, Melo siguroi gjithçka në 3-1. Ndërkohë derbi i cuditshëm i kryeqytetit që u zhvillua në Vlorë, Tirana-Dinamo, ka përfunduar 0-0. VAR i anuloi gola të dy ekipeve, në fillim Soler dhe më pas Vilës. Nga ana tjetër Egnatia ka marrë një pikë me vlera kundër Teutës pasi e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Dulysse dhe Guma, por në fund takimi u mbyll 0-0. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “RTSH Sport”:
Shkëmbi: “Patëm momentet tona të mira, sidomos në pjesën e dytë, në pjesën e parë nuk ishim ashtu siç duhet dhe prisnim, disa lojtarë hynë me vonesë në lojë. Kishim disa raste në pjesën e dytë, por në futboll duhet të shënosh dhe të mos thuash vetëm: “Fati, fati, fati”. Pashë mosbesim te disa lojtarë në pjesën e parë që nuk më pëlqeu. Kur nuk luan një pjesë loje, atëherë është e vështirë që të thuash se luajtëm mirë”.
Brdaric: “Nuk dua të flas për mungesat. E nisëm ndeshjen shumë mirë, kishim mundësitë tona dhe gjetëm golin. Pastaj kishim mundësi për të shënuar edhe golin e dytë, por nuk ia dolëm. Në fundin e pjesës së parë, me një dy aksione, Laci shënoi golin e barazimit. Ishte pozicion jashtë loje, jo gol i rregullt, nuk e kuptoj se përse e konsideruan si gol të rregullt. Në pjesën e dytë prisja që të vazhdonim po njësoj si në fillim, por jo, nuk e prisja këtë tërheqje kaq të madhe. Do të japim hapësirë të rinjëve dhe ata duhet të na tregojnë se çfarë vlerash kanë për të qenë pjesë e Vllaznisë”.