Përse jemi kaq të pafat? Një pyetje që mund të shtrohet vecanërisht pas deklaratës së fundit të ardhur nga mediat serbe. Sipas tyre, përgatitësi i portierëve te Serbia, u shpreh se ishin përgatitur për Kristjan Asllanin që të godiste dhe jo për Rei Manajn. Madje portieri Petrovic zgjodhi të njëjtën krahë sic ishte studiuar për Asllanin dhe në fund e priti penalltinë. I ftuar në Real Story me Sokol Ballën ishte Ledio Pano, rekordmen botëror për penalltitë, 50 herë nga 11 metrat dhe 50 herë ka shënuar. Për këtë arsye, fjala e tij ka shumë peshë në këtë moment dhe sipas Ledio Panos, edhe Zoti e dënoi pak Manajn.
“Teknika e goditjes ishte e gabuar. E kishte kokën poshtë? Nuk ka problem, do të shohësh topin dhe në mendje e ke portën se ku është dhe ku do ta cosh topin. Unë ashtu i kam goditur penalltitë e mia, me kokën ulur. Ishte i pavendosur Manaj, pavarësisht se kishte dëshirën për të dalë përpara dhe ndonjëherë të dënon edhe Zoti që ti do të bësh një gjë të madhe, por mundësitë nuk i ke. Të paktën për momentin, sepse Manaj ka shënuar nga penalltitë, por fizikisht nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore. A doni të flasim drejtë? Unë e dija që në fillim, që kur mori topin që me 90% do ta humbiste atë penallti. Do ta humbiste sepse donte të tregonte që jam unë këtu, që unë do të shënoj”, tha Ledio Pano.
Në studio ishte i ftuar edhe gazetari Gerti Carcani i cili ndan një tjetër mendim. Sipas tij, Manaj ka gabuar ashtu sic kanë gabuar edhe shumë yje të futbollit. Nga ana tjetër, Carcani hap edhe një diskutim të ri duke thënë se në momentin e gjuajtjes së penalltisë, ndryshe nga më parë kur gjuhet një penallti që 2-3 lojtarë grumbullohen te topi dhe diskutojnë, këtë herë askush nuk shkoi për ta marrë topin përvec Manajt.
“Silvinjo ishte shumë i qetë dhe e tha, e tha se është përgjegjësia e tij dhe nuk kishte asnjë peng për atë. Më parë e humbi Saka dhe fitoi Italia Europianin, edhe atëherë ishte ajo rryma e madhe që përse iu la Saka të gjuante, është djalë i ri, ka emocione. Penalltitë humben, një pyetje kam unë, nuk deshi ta bënte Manaj? Druaj se dy lotjarët e tjerë që mund të merrnin përsipër penalltinë pas Manajt, për shkak të ngarkesës janë rrotulluar në fushë për të mos e marrë përsipër”, tha Carcani. /Sport Ekpsres/