“Penalltia e Manajt? Përgjegjësinë e marr unë”, Silvinjo: Vjet kisha 15 lojtarë dhe tani kam 23, rivali pyet veten se cili do të luajë

Ka përfunduar në baraspeshë 0-0 përballja mes Shqipërisë dhe Shqipërisë. Një ndeshje ku kuqezinjtë patën shanset e tyre, të cilat fatkeqësisht nuk arritën t’i finalizonin me tundjen e rrjetës. Fitorja ishte vetëm 11 metra larg për ekipin tonë kombëtar, por portieri serb ia doli të priste penalltinë e gjuajtur nga Rei Manaj në fund të pjesës së parë. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët e takimit kanë dhënë intervistat e tyre për “TV Klan”.

Silvinjo: “Manaj është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ka përvojë. Unë marr përgjegjësinë për zgjedhjen që kam bërë. E caktova gjuajtës penalltie. Gaboi, por s’ka problem. Ishte një ndeshje e organizuar mirë nga ana teknike dhe psikologjike. Ishte një ndeshje personaliteti. Tifozët e mbështetën mirë skuadrën sot. Broja nuk është mësuar të bëjë ndeshej të plota. Ishte i lodhur, bashkë me Hoxhën prandaj i ndërrova. Bëri një pjesë të parë shumë të mirë. Por ai ka një problem, është shumë i pafat. Ka shumë kohë që nuk ka luajtur një ndeshje të plotë 90 minuta. Ky është një problem për të, por edhe për ne. Por e zgjodha në krahë, sepse është i fortë, është i shpejtë.

Të bësh 90 minuta në këtë nivel nuk është e lehtë. Ky është një rrugëtim i bukur për të gjithë ne. Ishte një ndeshje shumë e bukur. Jam shumë krenarë për të gjithë lojtarët e mi, por edhe për tifozët që erdhën të na ndiqnin. Ishin shumë të zjarrtë. Me gjithë respektin e botës, një vit më parë ishim me 15-16 lojtarë. Sot jemi kemi 23. Sot pysim, kush do të luajë, Broja, Uzuni, apo Asani? Kemi zgjedhje. Asani dhe Bajrami ishin një nga arsyet që na dërguan në Europian, por sot kundërshtarët kur analizojnë Shqipërinë nuk e dinë cila nga alternativat mund të luajë në fushë”.

Asllani: “Duhet të jemi optimist. Sot kemi treguar kualitetin tonë. Mund ta fitonim këtë ndeshje përpara tifozëve tanë. Por tani kemi një ndeshje të vështirë kundër Letonisë dhe duhet të marrim tre pikë. Sot trajneri vendosi për Manajn. Edhe unë doja të gjuaja, por kur trajneri thotë do të godasë ky, atëherë nuk kemi se çfarë të bëjmë. Shehu sot ishte një nga më të mirët në fushë. Është një top lojtar. Na duhen lojtarë të tillë teknikë si Shehu. Por edhe Ramadani ka bërë punën e tij në Kombëtare. Ndihem mirë me të dy. Shehu është një lojtar pak a shumë si mua, e pëlqen ta luajë topin. Jam ndjerë shumë mirë me të në këto dy ndeshjet e fundit”.

Broja: “Jemi pak të mërzitur. Kemi pasur raste për të bërë gola dhe për të fituar 3 pikë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ky grup është i vështirë. Sot kemi luajtur ndeshje shumë të bukur. Sot vetëm goli na ka munguar, të gjitha aspektet e tjera të lojës ishin të bukura. Jam qendërsulmues. Kam luajtur gjithë jetën sulmues. Por kam luajtur edhe në krahë të majtë dhe në krahë të djathtë dhe trajner e vendos. Trajneri më tha para ndeshjes që ka për të pasur hapësira aty në krahun e majtë të Serbisë dhe ashtu ndodhi. Unë jam një lojtar që dua të bëj gol. E di që ka njerëz që mendojnë se unë nuk shënoj, por unë dua të bëj sa më shumë gola. Kam shumë kohë pa luajtur. Prekja e topit, pasimi, goditja do të vijnë me kohën. Nuk dua të justifikohem. Portieri i Serbisë më tha që ke luajtur ndeshje shumë të bukur, jeni ekip shumë i fortë.”.

Daku: “Kemi luftuar deri në limitin e asaj që një lojtar mund të luftojë për fanellën. Nëse do të ishim pak më syhapur, do të ishim më të kënaqur. Por le të jemi më syhapur në ndeshjet e radhës. Edhe nëse do të fitonim sot, në ndeshjen e radhës do të futemi për fitore, sepse vetëm fitorja të jep mundësinë për të vazhduar për ëndrrën që ne kemi. Do të doja edhe unë që së paku vetëm të kaloja vijën për të shënuar gol, pastaj tatuazhi do të vinte instiktivisht. Isha duke goditur, por në momentet e fundit dëgjova Bajramin duke më thërritur. Në momentin e fundit e ndërrova mendjen. I pyeta edhe çunat pasi mbaroi ndeshja se çfarë mendonin, a do ishte më e rrezikshme po të godisja vetë”.

Gjimshiti: “Barazimi është keqardhja ime më e madhe. Me atë penallti, nëse do ta jepnim gol, kjo ndeshje përfundonte 2, ose 3 me 0 për ne. Nuk ishte ndeshje e lehtë. Kishte shumë presion. Vetëm me këtë zemër, duke lënë gjithçka në fushë, kemi kënaqësinë të luajmë. Shehu më befasoi në grumbullimin e parë në stërvitje. I kam pyetur djemtë: “Ku ka luajtur ky”? Sot të gjithë janë për t’u përgëzuar. Edhe mua më pëlqen të luaj ofensiv, ashtu si luaj te Atalanta. Por duhet të respektojmë taktikën e zgjedhur. Kemi shumë lojtarë me cilësi në sulm. Ishte pak rrezik të luanim në këtë mënyrë në sulm. I thashë çunave që sa herë të merrni topin, hyni një kundër një. E pamë që e bëri Broja me Pavloviçin. Vetëm kështu mund të realizojmë këtë ëndërr për të shkuar në Botëror”./Sport Ekspres/