Festat kanë përfunduar dhe lojtarët e “Abissnet Superiore”-s janë gati të nisin përgatitjet për rinisjen e kampionatit. Ndikimi i këtyre pushimeve dhe menusë së pasur të festave të fundvitit në performancën e futbollistëve ishte një nga temat e prekura në studion e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN”. Ditmar Bicaj ka zbuluar se klubet vendosin rregullat e tyre për ruajtjen e formës së lojtarëve. Nisur nga përvoja e tij, ish-mbrojtësi shqiptar ka treguar se te Skënderbeu futbollistët dënoheshin me 100 euro gjobë për çdo 100 gramë të shtuar në peshë gjatë periudhës së festave.
“Meqenëse jemi edhe profesionistë, çdo njeri duhet ta ketë shumë kujdes. Ka futbollistë që edhe më datë 1 janar, kur të gjithë janë duke fjetur gjumë, ose të shtrirë duke parë ndonjë serial, frekuentojnë kodrat e liqenit në Tiranë. Po marr Tiranën si shembull. Një që e mbaj mend, që ka qenë i rregullt dhe në mënyrë sistematike, ka qenë Ansi Agolli. Ansin gjithmonë e shikoje te kodrat e liqenit në datën 1 janar, për 4-5 vite.
Në momentin që ti vë peshë është armiku kryesor për dëmtimet. Në momentin që ikën, kur ke 5-7 ditë pushim, ti peshohesh. Në momentin që kthehesh për çdo 100 gramë ka qenë 100 euro gjobë, të paktën te Skënderbeu kur kam qenë unë. Një kilogram ishte 1000 euro. Për herë të parë e ka vënë rregull trajneri çek, Stanisllav Levi”, ka treguar Ditmar Bicaj./Sport Ekspres/