Perla e Lewandowski-t: I kam thënë Yamal, mund të kërcej me mua vetëm kur të shkojë 18-vjeç

Në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League, Barcelona mposhti Borussia Dortmundin me rezultatin 4-0. Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 25-të me golin e Raphinha-s, pasuar nga mjeshtëria e Robert Lewandowski, i cili shënoi dy gola në më pak se njëzet minuta.

Për fundin e ndeshjes mendoi Lamine Yamal në minutën e 77-të kur shënoi një gol të bukur për 4-0 me asistimin e Raphinhas. Pas ndeshjes, një Lewandowski dukshëm i lumtur qëndroi para kamerave dhe komentoi ndeshjen, duke përfshirë arsyen pse ai nuk donte të kërcente në fushë me të riun Yamal gjatë festimit të golit.

“Sepse ai nuk i ka mbushur ende 18 vjet (Yamal). Do të presim derisa të mbushë 18 vjeç, pastaj mund të rrimë. I thashë – Lamine, kur të bësh 18 mund të kërcejmë diku tjetër”, tha polaku i buzëqeshur. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/