Një përplasje e madhe mes ekipit të Vllaznisë dhe Bashkisë Shkodër. Gjithcka për shkakun e stadiumit Loro Borici teksa Vllaznia pret që të luajë aty ndeshjet e Europës në Conference League dhe të mundohet të bëjë një mrekulli, për hir të historisë së klubit dhe financave, pasi dihet që ndeshjet e Europës janë e vetmja mundësi për të mbushur arkat e klubit, por nga ana tjetër Bashkia Shkodër kërkon që aty të bëhen koncerte.
Nëse kjo ndodh, atëherë fusha e Loro Boricit do të dëmtohej dhe Vllaznia do të ishte larg shtëpisë së saj për hir të këtyre aktiviteteve jo futbollistike që do të ndodhnin në një fushë futbolli. Së fundmi ekipi i Vllaznisë ka treguar edhe një letër të FSHF drejtuar Bashkisë Shkodër ku i kërkonte Bashkisë edhe si një investitore në Loro Borici që stadiumi të mos devijonte për projekte të tjera jo futbollistike, në një kohë që ky stadium është i përfshirë mes atyre terreneve ku do të luhet për Europianin e U-21 të marrë nga Shqipëria.
I gjithi ky kaos ka marrë edhe vëmendjen e mediave në Europë, kryesisht të Sportba, një media në Bosnje. Ajo ka treguar gjithë ndodhinë e sipërpërmendur, ndërsa titulli i saj ishte shumë interesant: “Shqiptarët në shok, as Serbia nuk do t’ua bënte një gjë të tillë”. E teksa sqarojnë gjithë problemin, në fund shkruajnë: “Shqiptarët janë të çmendur pas futbollit, kjo shihet më së miri kur luhen ndeshjet e ekipit kombëtar, por si në shumë vende të tjera, politikanët kanë një vizion dhe plane të ndryshme dhe kryesisht e vënë fitimin në radhë të parë, madje edhe në dëm të sportit. Natyrisht, buxhetet financiare janë më të rëndësishmet për ta. Ne jemi një nga këto shtete, por duhet të ngushëllojmë veten sepse Shqipëria është më keq se ne”, shkruan media boshnjake. /Sport Ekspres/