Plani i Silvinjos për të fituar ndeshjen me Serbinë, Armando Broja bën Shah Mat me Pavlovic

Në datën 11 tetor, Shqipëria do të përballet kundër Serbisë në Leskovac. Një ndeshje jetike për kuqezinjtë që duhet të fitojnë me patjetër në mënyrë që të marrin vendin e dytë dhe të shpresojnë deri në fund për kualifikimin e madh në Botëror. Por si mund të fitohet me Serbinë?
Pika kryesore e planit të Silvinjos do të jetë Armando Broja. Këtë herë nuk bëhet fjalë për Armando Brojën e ndërtuar në fantazinë tonë dhe të kohës së Southampton, për të pritur që të na zgjidh ndeshjen i vetëm, por për një detyrë taktike shumë të rëndësishme.

Broja po kalon një periudhë skandaloze të Burnley, por te Shqipëria është ngritur mbi performancën e zhvilluar në Angli. Për çfarë bëhet fjalë saktësisht? Silvinjo po e përdor Brojën gjithmonë në krahun e djathtë dhe këtë herë më shumë se kurrë, pritet që sulmuesi të jap frytet.
Pikësëpari Serbia e ka kthyer Pavlovic, mbrojtësin e Milanit, në një pikë shumë të rëndësishme. Jo vetëm për mbrojtjen, por edhe për sulmin. Si në ndeshjet e fundit me Milanin, por edhe në Letoni-Serbi, disa situata të rrezikshme goli vinin nga këmbët e Pavlovic.

Me një kontroll topi të dobët, por duke përdorur gjithë forcën fizike, Pavlovic kalonte nga zona e tij në zonën kundërshtare për të sjellë gola si te Milani apo raste të rrezikshme goli si kundër Letonisë, që shtojnë panikun në portën tonë. Duke mbajtur Armando Brojën në krahun e Pavlovic këtë herë, ky i fundit do të jetë i detyruar për të qëndruar më mbrapa dhe të mos i hidhet shumë aventurave pasi është i ngathët dhe nuk e ka shpejtësinë për të arritur më pas Brojën.

Pra një Broja që do të kryente me përpikmëri detyrat e tij taktike, do ta bënte Shqipërinë që të kishte një rrezik më pak, për të minimizuar daljet e rrezikshme dhe kaotike të Pavlovic. Gjithashtu Armando Broja në shtator, në një kohë që ishte edhe më keq fizikisht sesa në këtë moment, e la mbrapa në dy tre raste duke dërguar dy topa në zonë që kërkonin vetëm shtyrjen në rrjetë, por që Rei Manaj nuk i sulmoi në asnjë rast. Këtë herë me siguri që Silvinjo duhet ta këshillojë Manajn për të sulmuar zonën në cdo shpërthim të Armando Brojës, në mënyrë që të mbyllen aksionet ashtu siç duhet. /Sport Ekspres/