Me shumë emocione është mbyllur ndeshja mes Tiranës dhe Kukësit që ka përfunduar me shifrat 1-0. Dy ekipe që kërkonin me patjetër fitoren në këtë takim dhe që për pjesën më të madhe të përballjes, rezultati mbeti 0-0.
Në minutat e fundit Kukësi shkoi shumë afër fitores, aq sa preku dy herë traversën në dy minuta. E kur pritej goditja e madhe nga Kukësi, ndodhi e kundërta. Një moment befasie dhe gabimi në vendosjen e mbrojtjes së verilindorëve dhe Haxhiu që shërben bukur te Abazaj, me këtë të fundit që me një prekje të lehtë e dërgon topin në rrjetë. Abazaj shpërthen në festën e çmendur duke goditur gjithçka që i doli përpara, ndërsa Goldi Halili është parë në lot nga emocionet. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Devolli: “Në momentin tonë më të mirë u ndëshkuam. Kam rastet e mia të dyshimit dhe zhgënjim shumë të madh te rasti i penalltisë. Ata në studio ta shohin siç e pashë unë në telefon. Ne punojmë gjithë javës si ju aty në studio dhe po na ikën djersa kot. Një bravo për djemtë. Ne këto punë e bëjmë me pasion, jo vetëm për lekë, prandaj jam i prekur. Ky është biznesi im, normal që kam keqardhje. Arbitrin? E takova pas ndeshje në fushë, kurse më pas ishte shtetrrethim, por pa merak t’i themi diçka se nuk do t’i bëjmë gjë. Po ashtu do t’i gjej numrin e telefonit”