Armand Duka ishte i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në “TV Klan” për të folur mbi rrugëtimin e bukur dhe të suksesshëm të Kombëtares shqiptare në kualifikueset e Kampionatit Europian. Shqipëria arriti të siguronte për të dytën herë në histori kualifikimin për në Euro 2024. Presidenti i FSHF-së ka shpjeguar ndeshjen jo të mirë të zhvilluar kundër Ishujve Faroe mbrëmjen e djeshme, teksa shprehet se lojtarët ishin nën entuziasmin e festës dhe kjo ka ndikuar në uljen e përqendrimit. Duka gjithashtu shpreh edhe dëshirën e tij për Kombëtaret që dëshiron në grup në Euro 2024, ku përzgjedh Gjermaninë dhe Serbinë.
“Ky ka qenë edicioni më i mirë që ka bërë Kombëtarja shqiptare, qoftë në lojë, qoftë në gola, qoftë në atmosferë në shkallët e stadiumit. Ndeshje jo e mirë me Ishujt Faroe? Ngaqë ekipi arriti rezultatin në Moldavi, siguroi kualifikimin, nuk ka hyrë me impenjimin e duhur. E kanë menduar lehtë dhe me një këmbë në festë. Nuk mund të them nënvlerësim, por ajo ndjesia e brendshme, që mendon për festën. Por për mua nuk e zbeh atë sukses të jashtëzakonshëm të ekipit kombëtar. Me shaka diskutonim me misterin se është Halandi jashtë dhe Cikalleshi brenda në Europian. Tifozët janë për t’u falenderuar, sepse na kanë mbështetur edhe jashtë, jo vetëm në Shqipëri. Në Moldavi na thanë që nuk kishin parë atmosferë të tillë në qytet. Mitaj? Misteri më ka thënë vetë që Mitaj është i mirë se ai, vetëm krosimet i kam pasur më të mira. Nëse do t’i zgjidhja skuadrat me dorë, do të zgjidhja Gjermaninë te vazoja e parë, Slloveninë ose Serbinë te vazoja e tretë.”, ka thënë Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/