Shqipëria ka publikuar listën e lojtarëve sa i përket dy takimeve miqësore në muajin mars. Ajo që bie menjëherë në vëmendje është fakti se Mirlind Daku dhe Arbnor Muja nuk do të jenë pjesë e kësaj liste. Në emisionin Koha Shtesë, kemi diskutuar me gazetarin dhe drejtuesin e emisionit Kampionët, me shqiptarin e Kosovës, Lorik Gashin. (Videon e plot të intervistës në Koha Shtesë rreth çështjes Mirlind Daku dhe Arbnor Muja, e gjeni më poshtë)
“Daku dhe Muja nuk janë pjesë e kësaj liste pasi ka shumë sulmuesë në formë te Shqipëria. Nuk e di, por Daku për mua duhej të ishte, Mujën e kuptoj deri diku për kalimin që bëri. Megjithatë këto janë vendimet e Silvinjos dhe që do të mësojmë më shumë nga fjalët e trajnerit nesër.
Në Kosovë mund të komentohet edhe si një tradhëti nga Shqipëria për këta futbollistë, se thjesht i dogji. Fakti që ngelën jashtë dhe që Kosova nuk mund t’i thërras më, a mund ta tregojë një gjë të tillë? Megjithatë kjo nuk do të thotë se këta lojtarë do të ngelin jashtë edhe për Europian.
Ka ende kohë për të bërë më mirë në klubet e tyre dhe për të merituar ftesën e Europianit. Por në Kosovë do të flitet në atë mënyrë sepse të paktën Daku erdhi me shumë pompozitet, me shumë deklarata edhe kundër pjesëtarëve të Kosovës që nuk e kishin grumbulluar më herët, për këtë arsye duhet të presim këto reagime.
Për mua këta janë lojtarët më të rrezikuar që mund të ngelin jashtë edhe Europianit të Gjermanisë. Në herën e fundit ngeli jashtë Rashica, Rrahmani, por nuk dua ta lidh me pjesën që janë nga Kosova, nuk besoj se është kjo arsyeja. Por këta lojtarë me konkurrencën që kanë, i ngelet që të japin gjithçka në klubet e tyre për të marrë ftesën e Silvinjos në Gjermani. Nuk është ende e kryer, ata mund të jenë pjesë e Europianit, por për mua janë dy lojtarët më të rrezikuar.
Arbër Hoxha? Është lojtar shumë i mirë, por mund të ketë të njëjtin fat si Muja dhe Daku që ngelën jashtë tani. Do ta ketë shumë të vështirë për të fituar një vend titullari, pastaj akoma edhe më të vështirë për të qenë pjesë e Europianit në Gjermani. Po çfarë iu desh edhe Arbërit në këtë numrin e madh të sulmuesve të Silvinjos, do të na bëjë ne xheloz apo do të tregojë se Kosova nuk po i fton këta futbollistë? Kjo është pyetja”, tha Gashi mes të qeshurës. /Sport Ekspres/