“Po e teproni me kritikat për trajnerin, e njihni Shqipërinë?”! Ish-lojtari i Ukrainës: Ata dolën në vendin e parë në grup, humbëm me një Kombëtare të fortë

Në Ukrainë vazhdojnë kritikat pas humbjes së marrë nga Shqipëria në shifrat 1-2. Madje disa zëra kanë tejkaluar çdo limit duke sulmuar dhe ofenduar lojtarët e Kombëtares për performancën e zhvilluar në Pragë.

Por në një tjetër linjë mendimi ishte ish-lojtari i Ukrainës, Vyacheslav Shevchuk. “Sigurisht që unë prisja më shumë nga ekipi ynë kundër Shqipërisë. Nuk e mendoja humbjen, por Shqipëria është një ekip vërtet shumë i mirë. Shumë lojtarë të Shqipërisë luajnë në kampionatet më të forta në Europë, një kundërshtar i vështirë. Rezultatet flasin për ta, për Silvinjon. Fituan grupin kualifikues, dolën në vendin e parë, para Cekisë dhe Polonisë.

Kanë lojtarë nga Serie A, nga La Liga. Në Europian Italia mezi fitojë kundër tyre, janë ekip i mirë, i organizuar dhe me shumë pasion. Ndonjëherë këto cilësi na mungojnë ne te Ukraina, por nuk duhet ta teprojmë me kritikat për trajnerin tonë pas kësaj humbje”, tha ish-lojtari i Ukrainës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/