Po flitet se do të vijë te Shqipëria, trajneri i Kosovës U-21 e tepron me deklaratën: Kjo është tradhti, Duka të mos na marrë lojtarë

Tema e ditës në ambientin sportiv shqiptar është Etnik Brruti. Në mediat qarkulloi lajmi se 21-vjeçari i Malishevës është ftuar nga ana e Shqipërisë A për dy takimet e marsit. Brruti ka qenë me shiritin e kapitenit te Kosova U-21 dhe padyshim që një zhurmë e tillë kalimi te kuqezinjtë ka ngjallur debat dhe reagime, ashtu siç nuk do të duhej.

Gjithmonë e më shumë po shtohen zërat se ky lojtar ka kaluar te Shqipëria jo për shkak të dashurisë së tij të madhe për ngjyrat kuqezi, por për shkak të menaxherit dhe karrierës. Brrutit i është siguruar një mundësi kalimi në Rusi dhe duhej të merrte pasaportën shqiptare për të pasur më shumë lehtësira. Megjithatë jemi ende në një tymanjë të madhe ku asnjë informacion nuk është i konfirmuar dhe mbi të gjitha, ka ende dyshime nëse kjo ftesë ka ardhur nga Shqipëria A apo ajo e Alban Bushit.

Si për të shtuar akoma edhe më shumë zërat se e gjitha kjo ishte një lojë e Brrutit, mjafton deklarata e tij e fundit ku u shpreh se Shqipëria i ka dërguar një ftesë, por nga ana tjetër deklaroi se nuk e ka marrë ende vendimin përfundimtar. Një deklaratë që dëshmon ose lojën e pisët të Brrutit për t’i bërë presion Kosovës me anë të Shqipërisë ose vetë lojtari e ka pranuar ftesën e Shqipërisë dhe kërkon që ambienti të jetë sadopak i qetë për momentin, duke mos konfirmuar vendimin e tij.

Por në këtë moment Brutti është tema e fundit që duhet të diskutohet para deklaratës skandaloze të Kosovës U-21 në “Gazeta Express”, Afrim Tovërlani. Ky i fundit i quan lojtarët që zgjedhin Shqipërinë dhe lënë Kosovën si tradhtar, ndërsa nga ana tjetër i quan lojtarët si Xhaka dhe Shaqiri që lënë Kosovën për Zvicrën si ambasadorë. Nuk është hera e parë që Tovërlani flet në një mënyrë shumë të keqe dhe me urrejtje karshi Shqipërisë, e ka bërë shpesh në të kaluarën. Dhe për fat të keq një njeri i tillë është trajneri i Kosovës U-21 dhe për fat të keq nuk është austriak dhe as gjerman, por është shqiptar dhe e di shumë mirë historinë tonë.

“Po, Etniku na ka thënë se po e zgjedh Shqipërinë për shkak të pasaportës shqiptare, përmes së cilës mund te transferohet më lehtë në Rusi. Lojtarët tanë po mashtrohen nga disa menaxhera, që po i joshin dhe po i mashtrojnë. Nuk kam koment për lojtarët që po e tradhëtojnë fanellën Dardane dhe që po luajnë me punën, mundin dhe djersën tonë. Këtu kanë faj edhe Armand Duka dhe FSHF që nuk po e ndalin këtë trend. Ne nuk kemi forcë e fuqi që të punojmë për dy ekipe (Kosovë dhe Shqipëri)”, përfundoi Tovërlani.

Përtej situatës së Etnikut dhe vërtetësisë në lidhje me këtë teori, është e pamundur se trajneri i Kosovës U-21 mund të quajë tradhtarë lojtarët që zgjedhin Shqipërinë. Madje Tovërlani ka kërkuar edhe nga Armand Duka që të mos marrë më lojtarë shqiptarë të Kosovës në të ardhmen sepse kjo nuk është moralisht e lejueshme. Dhe pastaj janë po këta njerëz që sulmojnë kreun e FSHF se po bashkëpunon me Serbinë për organizimin e Europianit, sa paradoksale, ndërkohë që sulmojnë Shqipërinë me rastin e parë që i jepet. Tovërlani duhet të kërkojë falje! /Sport Ekspres/