“Po mund të jesh yll futbolli mor burrë”, shpërthimi emocional i gazetarit: Nëse Armando Broja e dëgjon këtë intervistë, të mbledhi mendjen…

Armando Broja është tema e momentit te Shqipëria. Ylli i madh i Kombëtares, me potencialin më të madh, nuk po kalon aspak kohë të mirë. Stërvitja jo ideale gjatë verës, në një kohë që kishte kaluar pafund dëmtime dhe forcat duhej t’i shtonte në këtë kohë pushimesh, bëri që Broja të përfundojë për 3 javët e para në tribunën e Burnley. Ndaj Gjibraltarit, performanca ishte zhgënjyese nga ana e Brojës, teksa tifozët duket se po lodhen duke pritur rikthimin e tij. Për herë të parë Armando po kalon në plan të dytë nga tifozët që ngriheshin në këmbë në çdo stadium duke thirrur emrin e tij për t’i kërkuar ndihmë, që të shpëtonte Shqipërinë nga një ndeshje futbolli. Por Broja nuk ishte në gjendje ndaj Anglisë, as ndaj Serbisë dhe as ndaj Letonisë në transfertë. Pritja u bë e gjatë dhe tifozët këtë herë kërkonin Shpendin në formacion. Nga ana tjetër, në një intervistë për Koha Shtesë, edhe gazetari Skerdilaid Sulozeqi ka pasur një shpërthim emocional për Armando Brojën.

“Nëse Armando Broja e dëgjon këtë intervistë, do t’i sygjeroj në mënyrë të sinqertë që të punoj shumë fortë dhe të ul kokën. Broja duhet të punojë shumë fortë, pavarësisht talentit që ka. Unë e kam shumë përzemër si lojtar, e dua fort. Sa herë janë cuar shqiptarët në këmbë në stadium për të? Broja e ka problemin te vetja, as te mbështetja e tifozëve, as te trajneri, as te Federata. E vërteta është kjo, ndoshta dhe pak e hidhur, është marrë komplet jashtë forme dhe është aktivizuar te Shqipëria. Ai duhet të mbledh mendjen dhe të punoj shumë fort, për veten e tij. është një lojtar që mund të bëhet yll i madh futbolli mor burrë në skenën botërore. Sic thoshte Alban Bushi që kur të shkojmë në aeroport, do të themi se jemi nga vendi i Armando Brojës.

Ka që nga Southampton, i ka rënë vlera në mënyrë të frikshme nga 40 milionë euro ka shkuar në 15 milionë euro në Transfermarkt. FSHF duhet t’i jap shansin njëherë, dy herë, tre herë dhe nëse nuk e kap, jo Broja të jesh, por edhe Cristiano Ronaldo, nuk ka më. Të jepet mesazhi që ose puno fort ose nuk ke më vend se e presin trenin të tjerët, e presin radhën të tjerët. Mos të bëhet dembel sepse është pak dembel edhe në fushë dhe në stërvitje. Duhet të këshillohet mirë edhe nga prindërit dhe menaxheri, t’i thonë që zotëri duhet punë. Kam folur me doktorë dhe e kam bërë bisedën nëse këto dëmtime kaq të shpeshta të Brojës lidhen me stërvitjen jo ideale të tij dhe më kanë thënë që po, nëse nuk stërvitesh fort, më pas trupi mund të dëmtohet në këtë lloj mënyre. Prandaj duhet t’i jap forca sepse kështu nuk mund të vazhdohet më, me paraqitje si me Gjibraltarin nuk mund të ecet më”, tha Sulozeqi. /Sport Ekspres/