“Po t’i pyesësh serbët sot, janë bërë pishman që e zhvilluan ndeshjen në Leskovac”, Alliu: Kishin frikë e terrorit nga tifozët, por i vuri në terror Kombëtarja jonë

Zhvillimi i ndeshjes në Leskovac hapi jo pak diskutime në opinionin sportiv, teksa më parë ishte bërë e ditur se loja do të luhej në Beograd. Ndryshimi i stadiumit mendohej se do të favorizonte më tepër Serbinë, por kjo nuk rezultoi e vërtetë. Ilirjan Alliu është shprehur në studion e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN” se tashmë serbët janë penduar për zhvillimin e kësaj sfide në një stadium të vogël si ai Leskovacit.

“Sot po t’i pyesësh serbët që e kanë kërkuar ndeshjen në Leskovac, të jesh garant që janë bërë pishman. Ata e kërkuan me insistim ta bënin ndeshjen në Leskovac për shkak se dihej që presioni i madh mbi ta dëmtonte ekipin serb. Sepse nuk ke çfarë i bën Kombëtares së Shqipërisë. Do të mbrohet me patjetër, edhe me ushtri. Nuk i ndodh asgjë futbollistëve atje, kur janë paralajmëruar nga një situatë e mëparshme. Por presioni nga 70-80 mijë tifozë që duan me patjetër të fitojnë me Shqipërinë, ata do t’i vinte në terror. Por fati e deshi që të shkonim në një stadium si Leskovaci dhe nuk i vunë tifozët e vetë në terror, i vuri Kombëtarja jonë në terror me atë rezultat që mori”, është shprehur Ilirjan Alliu./Sport Ekspres/