Policia e shtetit braktis futbollin, indiferentizmi që njollosi ndeshjen emblemë të kampionatit shqiptar

“Arena e Demave” mirëpriti sot për herë të parë derbin e kryeqytetit. Një provë e kaluar me sukses nga klubi Partizani, që sot kishte hapur dyert e shtëpisë së vetë për ndeshjen emblemë të kampionatit tonë. Klubi përmbushi me përpikmëri detyrimet si organizator i kësaj sfide, pavarësisht dyshimeve të ngritura nga figura drejtuese të Policisë së Shtetit për infrastrukturën e sigurinë e këtij impianti.

Festa e futbollit shqiptar u njollos nga institucionet e ruajtjes së rendit, të cilat lejuan që shfaqje të shëmtuara dhune të paraprinin derbin. Policia braktisi futbollin me indiferentizmin e saj. Një mungesë përgjegjësie e patolerueshme nga ata që detyrë kryesore kanë pikërisht ruajtjen e sigurisë së qytetarëve shqiptarë.

Në një kohë kur përpjekjet duhet të ishin maksimale për të mundësuar mbarëvajtjen e një prej të paktave aktiviteteve argëtuese të kryeqytetit tonë, drejtuesit e policisë së shtetit zgjodhën rrugën e gabuar në të cilën shqiptarët kanë ecur prej vitesh, atë të mungesës së bashkëpunimit.

Do të ishte e udhës që në vend të deklaratave të shumta me tone dyshimi dhe mugese besimi te aftësitë organizuese të klubeve, të punohej ngushtë mes palëve për të bërë të mundur që derbi të zhvillohej normalisht. Policia duhet të ishte e pranishme në vendngjarje për të përbushur detyrimet e saj ashtu siç i takon në rastet kur kemi të bëjmë me grumbullime të mëdha njerëzish.

Në një kohë kur stadiumet shqiptare po vuajnë për praninë e tifozëve, forcat e rendit lënë në baltë edhe ata që kanë vendosur të mbajnë gjallë tribunat e stadiumeve shqiptare./Sport Ekspres/