Shqipëria ka pritur për herë të parë një kompeticion si Europiani dhe e bën këtë në moshën U-17. Ndeshja e parë është zhvilluar dje në Tiranë, atje ku kuqezinjtë U-17 janë përballur kundër Portugalisë U-17. Përkundër pritshmërive të mëdha për një brez fantastik që kemi te U-17, kundërshtarët arritën që të fitonin në shifrat 0-4. Në fakt Portugalia e ka fituar 6 herë Europianin me këtë grupmoshë dhe në fazën kualifikuese dolën të parët në grup me pikë të plota duke mundur Serbinë, Hollandën dhe Hungarinë.
Kështu Portugalia shkon në 5 fitoreve radhazi me U-17 pasi më herët kishte fituar edhe kundër Gjermanisë U-17. Ndërkohë Shqipëria është kualifikuar për në fazën e fundit të Europianit si vend organizator dhe ka shumë për të mësuar dhe marrë eksperiencë në një grup me Portugalinë, Francën dhe Gjermaninë.
Por një detaj i bukur është mbështetja që i dhanë tifozët tanë Shqipërisë U-17. Tifozeria ka qenë aq e madhe dhe e flaktë, në një stadium të mbushur dhe që ka ngrohur lojtarët tanë, aq sa te kundërshtarët janë befasuar tërësisht. Pavarësisht se flitet për një superfuqi si Portugalia, lojtarët e Portugalisë U-17 janë shprehur se i janë lidhur këmbët në Tiranë dhe se një tifozeri të tillë nuk e kishin parë asnjëherë në jetën e tyre futbollistike, pra në karrierë nuk kishte luajtur kurrë në një stadium me kaq shumë tifozë.
Në këtë linjë mendimi ishte futbollisti i Portugalisë, Joao Aragao: “E dinim se çfarë duhej të bënim në fushë. Është gjithashtu e rëndësishme të përmendet se kishte një atmosferë të jashtëzakonshme në stadium. Shqipëria doli e fortë, por ne e prisnim këtë. Pastaj cilësia jonë ishte superiore dhe përfunduam duke fituar lehtësisht.
Ekipi ishte i bashkuar nga fillimi deri në fund. Na kënaqën shumë duke luajtur para një stadiumi të plotë, të mbushur në këtë mënyrë”, tha Aragao.
Akoma më e bukur ishte deklarata e bërë nga ana e futbollistit tjetër të Portugalisë, Mateus Mide. Ky i fundit arriti të shënonte golin e dytë të ndeshjes nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 68. Për Mide, ishte hera e parë në karrierë që vendosej para një presioni të tillë nga stadiumi kur godiste një 11-metërsh dhe nuk do ta harroj Tiranën për gjithë jetën e tij.
“Nuk u dorëzuam para presionit. E rëndësishme është të jemi të sigurt në atë që duhet të bëjmë në çdo moment. Kemi një fillim shumë të mirë. Nuk e kemi nënvlerësuar kurrë kundërshtarin, e kemi respektuar gjithmonë.
“Ishte e pabesueshme të luash në këtë stadium. Nuk kisha luajtur kurrë në një stadium me kaq shumë njerëz që më shikonin. Nuk kisha luajtur kurrë me kaq shumë njerëz që më bënin presion përpara se të ekzekutoja një penallti. Ishte e pabesueshme! Familjet tona ishin gjithashtu të pranishme dhe ata ishin shumë të rëndësishëm për paraqitjen tonë në këtë ndeshje”, tha Mide.
Dhe për të mbyllur të gjithë këtë panoramë të ofruar nga tifozët e Shqipërisë në ndeshjen e U-17, mendoi trajneri i Portugalisë U-17, Bino Macaves, që tregoi saktë presionin që kishin lojtarët e tij në Arenën Kombëtare. “Fëmijët tanë ishin pak të shqetësuar, kishim folur për ankthin e ndeshjes së parë dhe në shtëpinë e Shqipërisë. Futbollistët tanë nuk ishin mësuar të luanin me kaq shumë tifozë në stadium, me kaq shumë tifozë që brohorasin për ekipin kundërshtar. Prandaj ishim të nxituar në fillim në vendimet tona”, tha trajneri i Portugalisë. /Sport Ekspres/