Në prag të sezonit të ri futbollistik që do të ngrejë siparin më 19 gusht, Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit do të organizojë më 9, 10 dhe 11 gusht teste fizike dhe seminare teorike me të gjithë arbitrat dhe asistentët e kampionatit “Kategoria Superiore”, me qëllim përmirësimin e nivelit të arbitrimit në futbollin shqiptar.
55 arbitra dhe asistentë të Kampionatit “Kategoria Superiore” do t’i nënshtrohen fillimisht testeve fizike më datë 9 gusht në “Shtëpinë e Futbollit” ndërsa më 10 dhe 11 gusht ditë do të zhvillohen edhe seminaret teorike ku do të analizojnë aspekte të ndryshme të arbitrimit dhe duke u përditësuar me ndryshimet në rregulloren e arbitrimit.
Në seminaret teorike të 10 dhe 11 gushtit do të marrin pjesë lektorë shqiptarë e të huaj, teksa bie në sy edhe pjesëmarrja e instruktorit të UEFA-s, Costas Kapitanis. Edhe shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci do të jetë një nga lektorët në këto seminare teorike. Pas ndjekjes së seminareve arbitrat dhe asistentët do t’i nënshtrohen testeve teorike pas çdo leksioni të marrë, ku do të vihen në provë njohuritë e tyre.
Testimet teorike dhe fizike janë dy procese mjaft të rëndësishme për çdo arbitër dhe asistent-arbitër që aspiron të jetë pjesë e trupës së arbitrimit në futboll.